Një ceremoni përkujtimore me rastin e Ditës së 12-të Kombëtare për masakrën e Nankinit, u mbajt të shtunën në qytetin Nankin të provincës Jiangsu të Kinës Lindore për 300.000 viktimat e vrarë nga trupat japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë qytet.
Në këtë dimër të ftohtë, mijëra njerëz të veshur me të zeza u mblodhën në sheshin publik të Sallës Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Nankinit nga Pushtuesit Japonezë në qytetin Nankin, kryeqendër e provincës së Jiangsu, me lule të bardha të ngjitura në gjoks, për të marrë pjesë në ceremoni.
Flamuri kombëtar i Kinës u ul në gjysmështizë para përfaqësuesve nga të mbijetuarit e masakrës, studentët dhe të ftuarit ndërkombëtarë.
Sirena e alarmit e sulmit ajror filloi të binte në orën 10:01 të mëngjesit. Makinat, trenat dhe anijet i ranë borive të tyre në shenjë zie dhe këmbësorët mbajtën një minutë heshtje.
Masakra e Nankinit ndodhi kur trupat japoneze pushtuan këtë qytet më 13 dhjetor 1937. Gjatë gjashtë javëve, ata vazhduan të vrisnin afërsisht 300.000 banorë dhe ushtarë të paarmatosur kinezë, në një ndër episodet më barbare të Luftës së Dytë Botërore.



