Jovana Aleksiq nga Trsteniku është serbja e parë që do ta marrë vaksinën revolucionare ruse kundër kancerit të lëkurës, e zhvilluar në Institutin “Gamaleja” në Moskë. Për trajtimin në Rusi, i cili kushton 100 mijë euro, asaj i mungojnë edhe 65 mijë euro.
“Kam qenë në muajin e pestë të shtatzënisë kur vura re një nishan të pazakontë në krahun e majtë. Pas heqjes së tij në vitin 2018, mendova se gjithçka ishte në rregull. Por vitin e kaluar mjekët zbuluan metastaza në mushkëri dhe në tru. Pesë herë iu nënshtrova trajtimit me ‘gamma knife’, mora disa imunoterapi, por pa sukses. Në një moment kisha deri në 53 metastaza në tru. Shpresa ime e fundit është vaksina ruse dhe besoj se nga Rusia do të kthehem si fituese”, rrëfen Jovana.
Pas përkeqësimit serioz të gjendjes shëndetësore, me ënjtje të metastazave dhe humbje të të folurit dhe lëvizjes, gjendja e saj u stabilizua me kortikosteroide. Më pas, në fund të nëntorit, ajo udhëtoi drejt Moskës. Atje iu bë diagnostikim i detajuar dhe u morën mostra për përgatitjen e një vaksine të personalizuar.
Terapia pritet të nisë në janar dhe përbëhet nga 10 doza, të cilat merren çdo dy javë. Jovana thotë se motivimi i saj më i madh është djali i saj tetëvjeçar dhe se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga beteja.