Iniciativë për ndalim të fishekzjarreve në territorin e Qytetit të Shkupit

Këshilltari Marjan Kalevski, në emër të lëvizjes “Qytet i Gjelbër Human”, ka dorëzuar sot një iniciativë në Këshillin e Qytetit të Shkupit për ndalim të plotë të fishekzjarreve në territorin e qytetit. Sipas propozuesve, një masë e tillë është urgjente për shkak të pasojave serioze që ato shkaktojnë ndaj shëndetit dhe mjedisit.

Sipas “Qytet i Gjelbër Human”, fishekzjarret prej dekadash paraqesin rrezik të madh – jo vetëm për mjedisin jetësor, por edhe për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve dhe kafshëve. Në arsyetimin e tyre theksohet se shpërthimet lëshojnë sasi të mëdha grimcash të dëmshme PM2.5 dhe PM10, gaze toksike dhe metale të rënda, të cilat përfundojnë në ajër, tokë dhe ujë. Këta ndotës, sipas studimeve të cituara, ndikojnë në mënyrë të veçantë te fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

“Fishekzjarret lëshojnë PM2.5, PM10, gaze toksike (CO, SO₂, NOx) dhe metale të rënda si bariumi, bakri, stronciumi dhe plumbi. Këto substanca ndotin ajrin, tokën dhe ujin dhe paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për grupet më vulnerabël: fëmijët, gratë shtatzëna, personat me astmë, COPD dhe sëmundje kardiovaskulare”, thuhet në njoftim.

Përveç ndotjes kimike, në iniciativë theksohen fuqishëm edhe pasojat psikologjike dhe shqisore. Zhurma dhe drita e fishekzjarreve mund të shkaktojnë ankth, panik, reaksione post–traumatike, si dhe mbingarkesë shqisore te personat me autizëm ose çrregullime të tjera shqisore. Po ashtu përmendet rreziku për personat me epilepsi fotosensitive.

Organizata ka theksuar edhe pasojat dramatike te kafshët. Mbi 70% e kafshëve shtëpiake reagojnë me frikë të fortë, panik dhe tentim për t’u arratisur, gjë që shpesh rezulton me lëndime. Te kafshët e egra janë dokumentuar edhe vdekje masive, sidomos te shpendët.

“Pasojat te kafshët janë tejet të rënda. Rreth 70–75% e kafshëve shtëpiake përjetojnë frikë, dridhje, panik dhe lëndime, ndërsa te kafshët e egra janë dokumentuar vdekje masive, sidomos te zogjtë”, theksohet në deklaratë.

Në iniciativë kujtohet se edhe legjislacioni aktual – Ligji për mbrojtje nga substancat shpërthyese dhe Ligji për Qytetin e Shkupit – tashmë parasheh kufizime për përdorimin e fishekzjarreve dhe detyrim për mbrojtjen e mjedisit, por në praktikë ato zbatohen rrallë. Për këtë arsye, organizata vlerëson se ndalimi është i domosdoshëm dhe i vonuar.

Gjithnjë e më shumë qytete në botë kanë kaluar në forma alternative, të qeta dhe ekologjike të festimeve, ndërsa “Qytet i Gjelbër Human” i bën thirrje Shkupit të ndjekë këtë shembull.

Në fund, organizata u bën thirrje të gjitha grupeve të këshilltarëve në Këshillin e Qytetit të Shkupit të mbështesin iniciativën dhe të dëshmojnë se shëndeti dhe siguria e qytetarëve dhe kafshëve janë prioritet real.