Inflacioni në Kosovë: 100 euro të vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro

Inflacioni po gërryen fuqinë blerëse në Kosovë: 100 euro të vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro. Kështu e përshkruan ekonomisti Edison Jakurti realitetin ekonomik të Kosovës të viteve të fundit.

Ai thekson se ndonëse vlera nominale e parasë mbetet e njëjtë, ajo që ndryshon është vlera reale – pra sa mallra dhe shërbime mund të blihen me të njëjtën shumë parash.

Sipas një analize të Jakurtit, inflacioni ka pasur një ndikim të fortë në fuqinë blerëse në Kosovë, veçanërisht gjatë 3–4 viteve të fundit. Një grafik ilustrues që ka publikuar ai në facebook, tregon se sa vlejnë sot 100 euro të vitit 2019, pasi të hiqen efektet e rritjes së çmimeve.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2014, 100 euro të vitit 2019 do të kishin vlerë reale rreth 105 euro, çka nënkupton një nivel më të ulët çmimesh dhe fuqi më të lartë blerëse. Ndërkohë, në vitin 2025, e njëjta shumë – 100 euro e vitit 2019 – vlen vetëm rreth 78 euro në terma realë.

Kjo do të thotë se ajo që në vitin 2019 blihej me 100 euro, në vitin 2025 kushton afërsisht 128 euro. Sipas Jakurtit, kjo rënie e ndjeshme e vlerës reale të parasë është dëshmi e qartë se inflacioni ka gërryer seriozisht standardin e jetesës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve në Kosovë.

Analiza nxjerr në pah se, edhe pse paga apo të ardhurat nominale mund të duken të pandryshuara ose në rritje, realiteti ekonomik për familjet kosovare është më i vështirë, pasi paratë e tyre sot blejnë dukshëm më pak se disa vite më parë.