Ilir Shaqiri feston ditëlindjen e 65-të, djali i tij me dedikim: Nuk ka pensionim për artistin

Këngëtari Ilir Shaqiri sot feston ditëlindjen e tij të 65-të, ka bërë të ditur djali i tij, po ashtu këngëtar, Korab Shaqiri.

Në një dedikim për të, Korab Shaqiri shkroi se babai i tij është nga ata burra që “nuk plaken kurrë, sepse jetojnë në ndriçimin e artit, në thirrjen e misionit, në amanetin e këngës”.

“Dhe vërtet, nuk ka pensionim për artistin, jo për një artist si ti, që ka vënë dritë e krenari në çdo shtëpi shqiptare”.

Ilir Shaqiri u lind më 6 dhjetor 1960 në një fshat të Skenderajt dhe njihet për këngët e tij patriotike.

Postimi i plotë i Korab Shaqirit:

Të uroj nga larg, babë

Gëzuar ditëlindjen e 65-të, babë i dashur, Ilir Shaqiri.

Edhe pse sot jam larg, zemra ime rri gjithmonë pranë teje, pranë zërit tënd që më rriti, këngëve të tua që u bënë histori, e shpirtit tënd që nuk njeh lodhje.

Ti je nga ata burra që nuk plaken kurrë, sepse jetojnë në ndriçimin e artit, në thirrjen e misionit, në amanetin e këngës. Dhe vërtet, nuk ka pensionim për artistin, jo për një artist si ti, që ka vënë dritë e krenari në çdo shtëpi shqiptare.

Faleminderit për çdo këshillë, çdo fjalë, çdo shembull që më ke dhënë.

Faleminderit për forcën, për dashurinë, për rrugën që e ecim bashkë, edhe kur kilometrat na ndajnë.

Sot, në këtë ditë të madhe të jetës tënde, të uroj shëndet, qetësi, gëzim e dritë në çdo hap!

Uroj që kënga jote të vazhdojë të frymojë gjatë, dhe do të frymoj siç ka frymuar gjithmonë, e @zemra jote të mbetet po aq e madhe sa gjithnjë.

Gëzuar 65-vjetorin, babë!

Me gjithë shpirtin tim, të uroj nga larg, babë.