Ibrahimi, mesazh për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Posaçme: “Jam krahu juaj”





Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Posaçme me një mesazh reflektues dhe mbështetës për këtë kategori të shoqërisë.

Në një status të publikuar sot, Ibrahimi theksoi se kjo ditë shërben për të rikujtuar përgjegjësinë e institucioneve dhe shoqërisë në tërësi për të siguruar trajtim të drejtë dhe kushte të dinjershme për personat me aftësi të kufizuara.

Ai u shpreh se gjatë periudhës në të cilën ka qenë në qeveri, si dhe në vijim, do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë për të avancuar të drejtat dhe mbështetjen për këtë komunitet.

“Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Posaçme na bën të reflektojmë si shoqëri. Gjatë kësaj periudhe sa kemi qenë në qeveri, por edhe në periudhën në vijim, do të përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë për të krijuar kushte dhe trajtim të drejtë”, shkroi Ibrahimi.

Ai shtoi se prania e këtyre personave në shoqëri duhet parë si një begati dhe një vlerë, duke u zotuar se do të jetë gjithmonë pranë tyre.

“Kjo ditë na bën më të vëmendshëm për begatinë që e kemi si shoqëri me prezencën e tyre. Unë jam krahu i juaj. Urime!”, përfundoi ai.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Posaçme shënohet çdo vit me 3 dhjetor dhe synon të promovojë të drejtat dhe mirëqenien e kësaj kategorie në të gjitha sferat e jetës shoqërore.