I merrnin me qira në Gjermani dhe Zvicër, ua hiqnin GPS dhe i shisnin! Arrestohen 4 persona në Serbi
Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi njofton se janë arrestuar katër persona të cilët dyshohet se merrnin vetura me qira në Zvicër dhe Gjermani, dhe të njëjtave ua çmontonin pajisjes GPS dhe i shisnin. Policia serbe njofton se ka parashtruar kallëzim penal ndaj tyre për bashkëpunim kriminal, mashtrim dhe fshehje.
“Në një aksion të zhvilluar në Krushevac, Çuprija dhe Razhanj, u arrestuan D.M. (1978), i dyshuar si organizator i këtij grupi kriminal, si dhe M.K. (1979), I.M. (1978) dhe S.B. (1961). Dyshohet se që nga fillimi i qershorit të vitit 2024 dhe gjatë këtij viti, ata kanë marrë me qira automjete dhe furgona luksoze nga disa agjenci rent-a-car në Gjermani dhe Zvicër, duke përdorur dokumente të falsifikuara, dhe më pas kanë çmontuar pajisjet GPS në Serbi, duke e bërë të pamundur gjurmimin e automjeteve nga pronarët ligjorë. Po ashtu, dyshohet se ata kanë falsifikuar targat, për të fshehur faktin që automjetet ishin të vjedhura dhe se për to ishte shpallur kërkim ndërkombëtar. Më pas, dyshohet se kanë shitur këto automjete dhe kështu kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një pasuri të madhe, të cilën e kanë ndarë sipas marrëveshjes paraprake me organizatorin, në përputhje me rolet dhe detyrat në kryerjen e veprave penale. Veprimet e tyre kanë shkaktuar dëme milionëshe pronarëve të këtyre automjeteve. Gjatë kontrollit të banesave dhe objekteve të tjera të përdorura nga anëtarët e këtij grupi kriminal, policia gjeti dy furgona për të cilët ishte shpallur kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, si dhe një numër të madh automjetesh të prodhimit të ri”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi.




