Hetimi për snajperët “Sarajevo Safari”, humb jetën dëshmitarin kyç, Aleksiç

“The Times” britanik njofton se ka vdekur papritmas dëshmitari kryesor i “Sarajevo Safari”, Slavko Aleksiç, ish-udhëheqës i një formacioni paramilitar serb dhe i vetëshpallur vojvoda çetnik.

Ai ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare, pa probleme të mëparshme shëndetësore. Vdekja e tij përkon me kohën kur në Itali është hapur një hetim i ri mbi të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”, akuza që gjatë luftës në vitet ’90, shtetas të pasur të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët në Sarajevë të rrethuar.

Në fund të nëntorit, Aleksiç dha një intervistë për televizionin serb, ku pretendoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kishte asnjë lidhje me veprimet e snajperëve gjatë rrethimit të Sarajevës, duke hedhur poshtë akuzat e mëparshme publike mbi këtë çështje.

Sipas “The Times”, Aleksiç gjatë rrethimit kontrollonte zonën rreth Varrezave Hebraike mbi Sarajevë, një nga pozicionet më të njohura të snajperëve nga të cilat qyteti ishte sistematikisht bombarduar dhe qëlluar. Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, deklaroi se Aleksiç ishte dëshmitar jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse mund të zbulonte se kush qëllonte dhe kush organizonte gjithë rrjetin.

Hetimi në Itali është nisur pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga gazetari dhe shkrimtari italian, Ezio Gavaceni, i cili pretendon se vizitorët paguanin nga 70,000 deri në 88,000 paund për të pasur qasje në pozicionet e snajperëve gjatë luftës.