Hamza pas vizitës në ShBA: Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka përmbledhur në një postim të shkurtër në Facebook, vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se nga atje u kthye shumë pozitiv në Kosovë, për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe ShBA-së, transmeton Klankosova.tv.

Pos tjerash, i pari i PDK-së tha se Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë.

“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane”.

“Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Felloë pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion”, ka shkruar Hamza.

“U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik. Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë”.