Guterres paralajmëron liderët botërorë: Merreni seriozisht rrezikun e luftës





Numri një i OKB-së, Antonio Guterres iu drejtua liderëve botërorë para Vitit të Ri me thirrjet të investojnë kundër varfërisë dhe jo tek armët.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara flet për konflikte në nivele të cilat nuk i kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ndërsa kthejmë faqen e një viti të trazuar, një fakt flet më shumë se fjalët: Shpenzimet ushtarake globale janë rritur në 2.7 trilionë dollarë, duke u rritur me pothuajse 10 përqind. Kjo është trembëdhjetë herë më shumë se e gjithë ndihma për zhvillim, ekuivalente me të gjithë produktin e brendshëm bruto të Afrikës. Në këtë vit të ri, le të vendosim të sqarojmë prioritetet tona. Një botë më e sigurt fillon duke investuar më shumë në luftimin e varfërisë dhe më pak në luftëra. Paqja duhet të mbizotërojë.”, shprehet Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Apeli i Guterres për udhëheqësit nëpër botë ishte: Merreni situatën seriozisht. Zgjidhni njerëzit dhe planetin mbi dhimbjen. Këtë vit të ri, le të ngrihemi së bashku: Për drejtësi. Për njerëzimin. Për paqen, shtoi ai.