Pas kthimit nga fronti i luftës në Sarajevë – viti 1994 deri në 1997 – Aleksandar Vuçiq dha shumë deklarata rreth pjesëmarrjes në luftë dhe në rrethimin e Sarajevës.
Këto deklarata shpesh ribotoheshin dhe përcilleshin në revistën zyrtare të radikalëve të Vojislav Sheshelit, “Serbia e Madhe”.
Gazetari kroat Domagoj Margetiq, personi i parë që zbuloi vrasjet për qejf të civilëve në Sarajevë, të njohura si “Sarajevo Safari”, publikoi një tjetër deklaratë të presidentit aktual serb nga viti 1994.
Sipas gazetarit kroat, Vuçiq konfirmon se ka qenë vullnetar ushtarak në Sarajevë, se ka marrë pjesë në përleshje dhe ka luftuar si vullnetar në Grbavica e në varrezat hebraike.
“Pra, se ka qenë pjesëtar i armatosur i njësisë së Aleksiqit pikërisht në pozicionet, në mikrolokacionet ku organizoheshin dhe kryheshin “safarët njerëzorë”, shtoi Margetiq.
Zbulimet e Margetiqit kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon, duke rikthyer vëmendjen te aktivitetet paraushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe rolin e zyrtarëve të sotëm në ngjarjet e luftës.
Termi “Sarajevo Safari” i referohet pretendimeve se gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996) disa të ashtuquajtur “turistë snajperistë”, kryesisht të huaj dhe sipas akuzave me pagesë, merrnin pozicione snajperësh në zonat e kontrolluara nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) dhe qëllonin mbi civilë.
Historia u bë e njohur gjerësisht pas publikimit të dokumentarit Sarajevo Safari (2022) të regjisorit Miran Zupanič, i cili sjell dëshmi që sugjerojnë se pas këtij fenomeni të supozuar qëndronte edhe logjistika e ushtrisë së Republikës Serbe.
Pas daljes së filmit dhe rishfaqjes së dëshmive, në nëntor 2025 Prokuroria Publike e Milanos në Itali hapi një hetim për të zbuluar nëse disa shtetas italianë mund të kenë marrë pjesë në këtë formë të pretenduar “sniper-turizmi” dhe në vrasje të kryera gjatë luftës.