Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, në Doha, zhvilloi një takim me Kryetarin e Këshillit të Shuras të Shtetit të Katarit, z. Hasan Bin Abdullah Al-Ghanim. Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe mundësitë për intensifikimin e komunikimit ndërmjet dy parlamenteve.
Kryetari Gashi theksoi se e vlerëson në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare, si një element thelbësor në ndërtimin e urave ndërmjet vendeve dhe popujve, sidomos në kohën e sfidave globale. Ai i bëri një ftesë kryetarit të Këshillit të Shurës që vitin e ardhshëm të realizojë një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të shënimit të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se Grupet e Miqësisë dhe Bashkëpunimit që ekzistojnë në të dy parlamentet mund të jenë një vlerë e shtuar në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive lidhur me legjislacionin në fushën e zhvillimit ekonomik, energjetikës, dixhitalizimit, si dhe ndryshimeve klimatike.