Garazhi nëntokësor me 371 vende në sheshin “Skënderbeu”, mbetet në letër – Mexhiti s’tregon kur nisin punimet!

Gazetar: Avni Tahiri

Vetura të parkuara në vendin e parashikuar për personat me aftësi ndryshe, vetura të parkuara edhe në trotuare, e disa të tjerë sillen rreth e rrotull duke pritur që dikush të liroje një vend parkim tek Sheshi “Skënderbeu”, në Shkup.

“Për të gjetur një vend parkim tek sheshi Skënderbeu thuajse është mision i pamundur ndërsa me këtë situatë qytetarët përballën thuajse çdo ditë”, raporton gazetari Avni Tahiri.

“Këtu rrallë mund të gjesh parking, vetëm të dielën mund të gjendet përndryshe nuk ka assesi. Si ia bëni kur keni punë këtu? Këtu duhet të sillesh patjetër apo të presësh dikush që të del, por në përgjithësi shumë rëndë të gjendet vend parkim”, tha një qytetar.

Zgjidhjen e këtij kaosi të parkimit, qytetaret e shohin vetëm tek ndërtimi i parkingjeve në kate.

“Shumë e vështirë këtu, ja mezi gjeta një vend. Çfarë duhet të ndërmerret? Parkim me kate vetëm, por edhe për atë nuk ka vend ku do ta ndërtojnë”, u shpreh një qytetar.

“E vështirë është, parkingu është gjithmonë i mbushur, shpesh nuk ka vend. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është parkingu me kate”, theksoi një qytetar.

E pikërisht për zgjidhjen e këtij kaosi me parkimin në Sheshin “Skënderbeu”, ish zv.kryeministri i parë, tani kryetar i Çairit, Izet Mexhiti pati premtuar projekt për 371 vendeve të reja për parkim të shpërndara në dy nivele nëntokësore.

“Qeveria ka vendosur që të ndajë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e garazhit nëntokësor shumëkatësh pranë sheshit “Skënderbeu” në Shkup. Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13 mijë m2. Gjithashtu do të sigurohen një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për persona me nevoja të veçanta”, pati thënë Izet Mexhiti – Kryetar i Komunës së Çairit.

Tenderi për parkingun nëntokësor në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup u anulua për arsye teknike, dhe mungese dokumentacioni por autoritetet atëkohë njoftuan se do të rihapin procedurën pasi të përmirësohen dokumentet zyrtare.

Por deri tani nuk ka informatë zyrtare se në cilën fazë ndodhet aktualisht projekti i premtuar i parkingjeve në kate dhe 371 vendeve të reja të parkingjeve i cili do të lehtësonte jetën e qytetarëve./ Alsat.mk