Pedagog: Naim Kurtishi
Shkollat tona janë të pajisura me kabinete, mjete pune dhe tekste, madje shpesh janë të mbingarkuara. Ndërkohë, mësuesit e shkretë janë kthyer në administratorë të pafuqishëm, të nënçmuar në çdo aspekt dhe të frikësuar se mos ndëshkohen për gjithçka.
Le të ndalemi pak tek tekstet shkollore!
Pyet publikisht ministren dhe zëvendësministrin: Kush po i kontrollon tekstet shkollore?
Përgjigja e tyre zakonisht është e thjeshtë: “Do të korrigjohen.”
Por kjo nuk mjafton. Prandaj po u themi hapur atyre që rrinë nëpër karrige e flasin për reforma: Dilni në terren, lëreni zyrat dhe pyesni ata që e mbajnë mbi shpinë sistemin – mësuesit, heronjtë e dijes. Do të shihni se shumë prej teksteve të sotme janë të panevojshme, të prodhuara me tenderë që sjellin përfitime të mëdha për disa, por aspak cilësi për nxënësit.
Ministria lejon në përdorim tekste të mbushura me gabime lëndore e gjuhësore, sepse kompetenca nuk merret parasysh. Aty vlen lidhja, shoku, miku, bashkëpartiaku – jo dija, jo profesionalizmi. Sot nuk ka më ente shtetërore të botimit që dikur kalonin tekstet në mbi dhjetë filtra cilësie. Ka autorë të pavarur që i delegoni ju: partia, shoqëria, rrethi, klani…
Prandaj kemi këtë gjendje. Prandaj mbetemi të fundit. Jo për fajin e dikujt tjetër, por për fajin e njerëzve që me padituri dhe papërgjegjësi po rrezikojnë të ardhmen e qindra mijëra nxënësve.