Mijëra shqiptarë sot mbushën sheshin e Shkupit, duke u bërë një zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare dhe duke i dërguar një mesazh të qartë botës dhe Gjykatës së Hagës: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe e shenjtë, sepse ishte luftë për liri dhe për mbrojtjen e popullit shqiptar.
Shqiptarë nga të gjitha trojet etnike u mblodhën në Shkup, të bashkuar si kurrë më parë, për të kundërshtuar padrejtësinë ndaj krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit – të cilët sot po mbahen padrejtësisht në Hagë për një luftë që i solli lirinë Kosovës.
Nën organizimin e OVL-UÇK-së, në krye me Hysni Gucatin, protestuesit dënuan ashpër Gjykatën e Hagës, duke e cilësuar atë si të njëanshme dhe duke kërkuar me zë të lartë lirimin e menjëhershëm të katër krerëve të UÇK-së. Mes thirrjeve “UÇK” dhe flamujve kuqezi që valëviteshin krenarisht, Shkupi u shndërrua në një simbol të unitetit, krenarisë dhe rezistencës shqiptare.