Flori Epiriani, themelues dhe aktivist i Sindikatës së Pavarur të Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka reaguar publikisht ndaj mungesës së dygjuhësisë në flotën e re të veturave dhe pajisjet policore, duke i drejtuar një propozim-shkresë Sektorit për Reforma në Ministrinë e Punëve të Brendshme informon Tetovasot.
Në analizën e tij profesionale mbi identitetin institucional të policisë, Epiriani thekson se reformat aktuale po mbeten të mangëta, pasi fokusi është vendosur vetëm në modernizimin teknik, duke anashkaluar barazinë gjuhësore dhe karakterin multietnik të shtetit.
Sipas tij, një polici moderne nuk ndërtohet vetëm me automjete të reja dhe pajisje bashkëkohore, por mbi besimin e qytetarëve, i cili fitohet përmes respektimit të barazisë dhe shërbimit të paanshëm.
Si shembull pozitiv rajonal, Epiriani përmend Policinë e Kosovës, e cila ka ndërtuar një identitet institucional neutral, duke përdorur mbishkrime që nuk krijojnë ndasi dhe duke integruar dygjuhësinë si standard funksional që në themel të institucionit raporton Tetovasot.
Ai kritikon faktin se në Maqedoninë e Veriut: veturat e reja të policisë mbajnë mbishkrime kryesisht mononacionale,uniformat standarde nuk përfshijnë gjuhën shqipe,ndërsa komunikimi zyrtar dhe dokumentacioni digjital nuk ofrohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
Në fund, Epiriani propozon standardizimin e mbishkrimeve në tri gjuhë, reformimin e uniformave policore dhe digjitalizimin real të shërbimeve në përputhje me ligjin.
“Pa dygjuhësi, çdo reformë mbetet sipërfaqësore dhe nuk e pasqyron realitetin e shoqërisë sonë”, përfundon reagimi i tij.
