Tifozët në mbarë botën i pret një epokë e re e rregullave të futbollit në Kupën e Botës 2026. FIFA ka vendosur të fusë pauza të detyrueshme për hidratim, me kohëzgjatje tre minuta, në mesin e çdo pjesë loje gjatë të gjitha ndeshjeve të turneut. Vendimi është marrë pas konsultimeve me trajnerët dhe transmetuesit, dhe pauzat do të jenë të vlefshme pavarësisht kushteve të motit.
Siç është shpjeguar, qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është mbrojtja e lojtarëve, por edhe mundësimi i komunikimit shtesë mes stafit teknik dhe futbollistëve. Drejtori operativ i turneut, Manolo Zubiria, tha se pauzat “do të zgjasin tre minuta nga fishkëllima në fishkëllimë në të dy pjesët”, dhe se gjyqtarët do t’i aplikojnë rreth minutës së 22-të të çdo pjesë. Koha e lojës nuk do të ndalet, por tre minuta do t’i shtohen pjesës në fund.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm krahasuar me praktikat e mëparshme, kur të ashtuquajturat “pauza freskuese” zbatoheshin vetëm në raste temperaturash shumë të larta. Në Kupën e Botës për Klube vitin e kaluar në SHBA, ku shumë ndeshje u zhvilluan gjatë një vale të nxehti, shqetësimet për sigurinë e lojtarëve shtynë diskutimet për përmirësimin e rregullave.
Megjithëse FIFPRO më herët kishte propozuar pauza më të shpeshta, por më të shkurtra, FIFA vendosi të zbatojë vetëm një pauzë për pjesë. Organizatorët thonë se kjo do të sigurojë kushte të barabarta për të gjitha ekipet. Oraret janë planifikuar me kujdes për të shmangur zonat më të nxehta, ndaj shumica e ndeshjeve të pasdites do të luhen në stadiume të klimatizuara, të mbuluara ose në qytete me klimë më të butë, ndërsa ndeshjet në Nju Xhersi, Filadelfia, Majami, Kansas Siti dhe Monterej do të zhvillohen kryesisht në mbrëmje. Megjithatë, finalja është planifikuar të luhet në orën 15:00 në stadiumin “MetLife”.
Pauzat e hidratimit sjellin edhe përfitime komerciale, sepse transmetuesit marrin hapësirë shtesë për reklama. FIFA gjithashtu njoftoi se do të ketë tri ceremoni hapjeje – në Mexico City, Toronto dhe Inglewood – të cilat do të mbahen në ditën e parë të kampionatit.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, me gjithsej 104 ndeshje për 39 ditë.