Fermerët nuk tërhiqen, bllokojnë pikat nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, kaos në autostrada

Mijëra traktorë janë tashmë të rreshtuar në pika nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, duke bllokuar autostrada kombëtare, pika doganore dhe akse hyrëse drejt qyteteve të mëdha dhe fermerët grekë vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur në rrugë, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestave të tyre deri në festat e fundvitit.

Bllokadat janë shtuar sot në disa rajone të vendit. Në Malgara, në Maqedoninë Qendrore, fermerët mbyllën të dyja drejtimet e autostradës, ndërsa në Magnesia ngritën bllokada të reja në Mikrothiva. Në Etoloakarnani, u ndërpre qarkullimi në Ionia Odos, e cila qëndron e mbyllur plotësisht për automjetet, me lëvizje të kufizuar vetëm për raste urgjence.

Ndërkohë, në Fthiotida, mbi 300 traktorë u ngjitën në autostradën Athinë–Lamia, ku fermerët arritën të çajnë kordonin policor në zonën e Mbralos dhe të bllokojnë të dy drejtimet.Pritjet për drejtuesit e mjeteve janë disa orëshe, pasi qarkullimi devijohet në rrugë të ngushta dytësore, raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku.

Tensioni është i dukshëm edhe në rajonet kufitare. Bllokada të mëdha janë ngritur në doganat e Kipos, Exochi, Promahonas, Evzon, Niki dhe në Kalpaki në rrugën drejt Kakavijës, ku fermerët dhe blegtorët kanë ndalur qarkullimin e kamionëve për disa orë.

Në Sitia të Maqedonisë Perëndimore, një nga bllokadat më të mëdha të dekadës ka mbyllur autostradën Egnatia nga njëri kryqëzim në tjetrin. Pas përleshjeve të djeshme me policiënë edhe në aksin që çon drejt aeroportit “Makedonia” në Selanik, 150 traktorë kanë bllokuar pjesërisht rrugën.

Fermerët thonë se nuk kanë alternativa të tjera dhe kërkojnë mes të tjerash:
-Pagesën e menjëhershme të të gjitha subvencioneve dhe kompensimeve të prapambetura

-Vendosjen e çmimeve minimale të garantuara, që të mbulojnë realisht koston e prodhimit

-Uljen e kostos së energjisë, me çmim maksimal 7 cent/Kwh

-Heqjen e taksimit të karburantit

-Kompensime 100% për dëmet në prodhim dhe kapital në rastet e krizave të tregut dhe fenomeneve të tejskajshme
Javën e ardhshme pritet mbledhja e komisionit të Përgjithshëm Panhelenik, ku do të vendoset koordinimi i të gjitha bllokadave në mbarë Greqinë.