Erdi Emini është vetëm 13 vjeç, por talenti i tij në fushën e blertë ka nisur të flasë fort. Ai po rritet me ritme të shpejta si një sulmues modern, i cili kombinon fizik optimal me teknikë të natyrshme. Thuajse në çdo ndeshje ka lënë gjurmë duke shënuar, duke e kthyer veten në lojtarin më të besueshëm të repartit ofensiv të ekipit kuqe e zi të gjeneratës U-14 shkruan Tetovasot.
Shtatlarti Erdi është një goleshenues i lindur: e lexon lojën me maturi, pozicionohet saktë dhe godet portën me siguri. Në ndeshjen e fundit, atë përmbyllëse të sezonit, ai ishte thjesht i papërmbajtshëm realizoi tri gola ndaj Shkupit, duke treguar se përpara ka një karrierë të ndritur nëse vazhdon me të njëjtin ritëm.
Gjenerata U-14 nën drejtimin e trajnerit Ismail Ismaili te Shkendija po formon lojtarë me karakter dhe qetësi në lojë, dhe Erdi Emini është një nga shembujt më të mirë të kësaj filozofie pune. Talent, përkushtim dhe uri për gola: këto janë tre shtyllat që e bëjnë Erdin një premtim serioz për të ardhmen e futbollit vendas.
Me zhvillimin e duhur teknik e taktik dhe me punën e vazhdueshme që tashmë e karakterizon, ky djalosh pritet të jetë një ndër emrat që do të dëgjohet gjatë në vitet që vijnë. Në çdo ndeshje ai dëshmon se futbolli është pasioni i tij, ndërsa goli – gjuha e tij e natyrshme.TS