Edhe pse nuk është anëtarë i Këshillit dhe Kryesisë, Artin Spahiu uron Ali Ahmetin dhe kryesinë e re: Suksese BDI

Dje u mbajt Kongresi V i Bashkimit Demokratik për Integrim, i promovuar si “Reformues”.
Si zakonisht, kur vlerësimet dhe emocionet janë të përziera, nuk preferoj të jap kurrë vlerësim të shpektë. Dhe tani pas 24 orë, dua që të them edhe unë dy fjalë, si “objekt i reformës” së Kongresit:

Urimet më të sinqerta për rizgjedhjen e z. Ali Ahmeti në krye të Bashkimit Demokratik për Integrim. Pavarësisht dallimeve, mosdakorsive që lidhen me propozimet e tij në kongres (për të cilat nuk kam pasur as dijeninë më të vogël), apo ndjenjave që shoqërojnë çdo proces politik, figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me rrugëtimin politik dhe kombëtar të shqiptarëve. I uroj shëndet, forcë dhe suksese në vazhdimin e këtij misioni që nuk ka qenë asnjëherë i lehtë.
Pas pesë vitesh angazhim, përkushtim dhe përgjegjësi, nga dje nuk jam më pjesë e Këshillit të Përgjithshëm dhe as e Kryesisë së BDI-së. Ndoshta është edhe arsyeja e rezultatit jo të mirë që si Dibër kishim në zgjedhjet e fundit lokale, edhe pse në gjitha vendimet dhe përcaktimet, unë dhe ne si BDI-dega Dibër as që u konsultuam e lëre më vendosëm. Nuk e fsheh që ky moment shoqërohet me ndjenja të përziera. Sepse kur investon kohë, energji, besim dhe shpesh edhe sakrificë personale, largimi nga strukturat drejtuese nuk është i lehtë. Megjithatë, kjo nuk më bën as të zemëruar dhe as të penduar.
Reforma, nëse është e vërtetë, duhet të pranohet edhe kur nuk na favorizon personalisht. Statuti që ne vetë e kemi votuar dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar BDI-ja, nuk mund të vlejnë vetëm në momentet kur jemi ne pjesë e vendimmarrjes. Do të ishte e padrejtë ndaj vetes dhe ndaj partisë të mendoja ndryshe sot.
Në kongreset e kaluara kemi qenë ne ata që propozoheshim, votoheshim dhe përfaqësonim strukturat. Sot po propozohen të tjerë, emra të tjerë, fytyra të tjera. Kjo është dhimbje për disa, por shoresojmëa që të jenë shenjë jete për partinë. Sepse BDI nuk është pronë e askujt, por amanet i një ideje dhe i një sakrifice të madhe.
Uroj me zemër të gjithë ata që sot marrin përgjegjësi në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesi. Edhe pse shumicën nuk i njoh personalisht dhe me disa vendime nuk jam dakord, uroj që të mos harrojnë pse ekziston kjo parti, kujt i shërben dhe çfarë duhet të mbrojë. Sepse funksionet kalojnë, por përgjegjësia ndaj dinjitetit kombëtar mbetet.
BDI ka qenë, është dhe duhet të mbetet zëri i dinjitetit shqiptar. Pavarësisht nëse je brenda strukturave apo jashtë tyre, kjo nuk ndryshon bindjen time, respektin tim dhe lidhjen time me idealin për të cilin kjo parti u krijua.
Koha do të tregojë nëse reformat do ta forcojnë BDI-në. Unë shpresoj sinqerisht që po. Sepse përtej emrave dhe funksioneve, ajo që ka rëndësi është që BDI të jetë aty ku e ka vendin – në mbrojtje të shqiptarëve dhe të dinjitetit të tyre.
Dhe krejt në fund, me kënaqësinë e një udhëheqësi politik lokal, që të gjithë ata që sot janë pjesë e strukturave të reja, janë prurjet që unë pesonalisht kam inkuadruar në strukturat partiake, nuk më ngelën asgjë tjetër, por të ndaloj, të reflektoj dhe të realizoj një autospeksion që do të më ndihmonte në të ardhmen. Një gjë jam i bindur, dhe krenar, se tradhëti, hajnia, amoraliteti dhe korrupsioni nuk kanë qenë kurrë as të afërm me personalitetin tim si Artin e si funksionar.
Suksese!!!

Artin Spahiu