E trishtë! Ndërron jetë në spital 15-vjeçari nga Durrësi, u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij
Ka ndërruar jetë në spital 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, i cili u plagos rëndë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pak ditë më parë. Lajmi i trishtë ka tronditur familjen, të afërmit dhe gjithë komunitetin, që këto ditë kanë jetuar me shpresën se Erioni do t’ja dilte.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale, i cili degjeneroi në dhunë fizike. Gjatë përleshjes, i mituri u godit me thikë disa herë, dhe njëra nga plagët i preku zemrën. Për 10 ditë me radhë, ai luftoi mes jetës dhe vdekjes, i shtrirë në gjendje shumë të rëndë në reanimacionin qëndror në QSUT.
Familja e tij, e shkatërruar emocionalisht, kërkoi ndihmë nga çdo shqiptar për të bërë të mundur dërgimin jashtë vendit. Nusja e xhaxhait të Erionit, në një video të dërguar në JOQ Albania, tregonte gjendjen e rëndë të nënës së tij dhe betejën e përditshme që familjarët zhvillonin për të shpëtuar jetën e djalit.
Fatkeqësisht, përpjekjet nuk mjaftuan dhe zemra e 15-vjeçarit pushoi së rrahuri sot, duke lënë pas një dhimbje të pamasë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u preken nga historia e tij.