Dëmet mjedisore të pakthyeshme kërcënojnë Vjosën: Konventa e Bernës ngre alarmin

Tiranë, 19.12.2025 – Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka shprehur edhe një herë keqardhjen e thellë dhe shqetësimin serioz që qeveria shqiptare ka dështuar të ndalojë ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Rekomandimin Nr. 219 (2023).

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e punimeve, autoritetet shqiptare kanë injoruar plotësisht këtë kërkesë dhe kanë vendosur të vazhdojnë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Duke tentuar të shmangin përgjegjësinë, ata kanë deklaruar se do të marrin masa riparuese dhe lehtësuese gjatë operimit të aeroportit.

Megjithatë, Konventa e Bernës thekson se asnjë masë zbutëse apo vetë operimi i aeroportit nuk mund të fillojë pa një Vlerësim të Ri të Ndikimit në Mjedis, të plotë dhe të përshtatshëm, që të trajtojë në mënyrë të plotë ndikimet mbi habitatet dhe llojet e rëndësishme në zonën Vjosë–Nartë. Konventa nënvizon se shprehja e gatishmërisë për masa zbutëse nuk e zëvendëson nevojën për një vlerësim të plotë dhe të ligjshëm, dhe çdo hap përpara pa këtë VNM përbën shkelje të Konventës.

Parku Kombëtar i Vjosës ka një plan zyrtar menaxhimi, por ai nuk po zbatohet. Komiteti nënvizon se mungesa e planifikimit dhe e vlerësimit shkencor nuk mund të justifikojë cënimin e biodiversitetit, dhe kërkon veprime konkrete, të menjëhershme dhe të matshme nga autoritetet shqiptare.

“Gjatë vitit 2025, Parku Kombëtar i Vjosës është përballur me një sërë presionesh serioze që vijnë nga industria nxjerrëse dhe përpunuese, rritja e urbanizimit dhe mungesa e kontrolleve efektive. Këto ndërhyrje po e sfidojnë rëndë integritetin e një prej ekosistemeve më të rëndësishme natyrore në Evropë. Si EcoAlbania, kemi ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse zhvillimet në terren, dhe kemi theksuar në Konventën e Bernës rëndësinë e zbatimit të standardeve ndërkombëtare referuese për menaxhimin dhe ruajtjen e këtij parku. Vjosa meriton mbrojtje reale, jo vetëm në letër.,” u shpreh Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

EcoAlbania dhe Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë kundërshtuar projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës që prej fillimit, duke paralajmëruar vazhdimisht për parregullsi të rënda ligjore, shkelje të hapura proceduriale dhe rreziqe të papranueshme per mjedisin për një nga ekosistemet më të çmuara dhe më të ndjeshme të Evropës. Të dyja organizatat kanë dorëzuar vazhdimisht pranë Konventës së Bernës prova të dokumentuara dhe kundërshtime formale, që vërtetojnë se ndërtimi i aeroportit po zhvillohet brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë, një ligatinë me rëndësi ndërkombëtare dhe zonë kyçe biodiversiteti, si dhe se projekti ka vijuar pa një Vlerësim të Ri të Ndikimit në Mjedis, të plotë dhe të përshtatshëm.

Vazhdimi i punimeve në këto kushte përbën shkelje të drejtpërdrejtë të legjislacionit kombëtar dhe të detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke rrezikuar jo vetëm habitatet dhe llojet e mbrojtura, por edhe besueshmërinë e institucioneve publike dhe respektimin e shtetit të së drejtës. EcoAlbania dhe PPNEA kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të projektit, transparencë të plotë dhe përmbushje të plotë të angazhimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, përpara se të shkaktohen dëme të pakthyeshme.

Përfaqësuesit e EcoAlbania dhe PPNEA paraqitën të dhëna shkencore mbi rëndësinë e grykëderdhjes së lumit Vjosa, duke përfshirë rolin e tyre si habitat kritik për shpendët shtegtarë dhe lloje të rrezikuara, një zonë që është theksuar edhe nga vetë Konventa e Bernës. Ndërkohë, gjithashtu po ndiqet rruga ligjore duke kundërshtuar kontratën e Aeroportit të Vlorës në gjykatë, duke argumentuar se lejet e ndërtimit janë dhënë pa kryer vlerësimet e detyrueshme mjedisore dhe strategjike, në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. Këto shkelje rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin ekologjik të zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë dhe vendosin Shqipërinë në konflikt të hapur me detyrimet e saj ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

“Hipokrizia e autoriteteve, të cilët deri sot janë zotuar për ruajtjen e natyrës në Shqipëri, ka dalë zbuluar me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në deltën e lumit Vjosa. Për të ndjekur vizionin shkatërrues për Lagunën e Nartës, qeveria shqiptare ka injoruar çdo standard për ruajtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura. Madje, fill pas vendosjes së kushtit nga BE për rikthimin e ligjit të zonave të mbrojtura në kuadër të negociatave, qeveria shqiptare ka aprovuar leje ndërtimi për komplekse masive banimi dhe turistike brenda zonës së mbrojtur Vjosë–Nartë.,” theksoi Zydjon Vorpsi, Drejtor Politikash, PPNEA.

Vjosë–Narta është një nga ekosistemet më të rëndësishme për Mesdheun, shtëpi për qindra lloje shpendësh, përfshirë lloje shtegtarë të rrallë dhe të rrezikuar në nivel ndërkombëtar. EcoAlbania dhe PPNEA riafirmojnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë dhe për të kërkuar vendimmarrje mjedisore të bazuar në shkencë, ligj dhe transparencë, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Bernës.