Drejtoria e të Ardhurave Publike informon se deri në fund të nëntorit janë kryer rreth 4.000 kontrolle, në të cilat janë regjistruar parregullsi në fushën e mosdhënies së llogarive fiskale, me mbi 2.500 gjoba të shqiptuara dhe 113 tatimpaguesve u është ndaluar kryerja e veprimtarisë.
“Fakti që çdo kontroll i katërt përfundon me një parregullsi të konstatuar në fushën e mosdhënies së llogarive fiskale tregon një dukuri të përhapur të mosregjistrimit të qarkullimit të parave të gatshme. Në një kontekst më të gjerë, ky fakt tregon edhe përdorimin e qarkullimit të paregjistruar për pagesat në para të gatshme midis kompanive dhe pagesën e pagave në zarfe, praktika që janë në kundërshtim me ligjin dhe përfaqësojnë forma të ekonomisë gri, krijojnë konkurrencë të padrejtë dhe shkaktojnë humbje për buxhetin. Një numri më të madh tatimpaguesish që u gjobitën për mosdhënie të llogarive fiskalë dhe qarkullim të paregjistruar, DAP-i u dërgoi mesazhe të personalizuara duke u bërë thirrje tatimpaguesve të paraqesin korrigjime në deklaratat e tyre tatimore, të raportojnë qarkullimin dhe të paguajnë tatimin. DAP-i po monitoron veprimet e këtyre tatimpaguesve dhe njofton se, nëse nuk veprojnë vullnetarisht, do të pasojnë kontrolle shtesë duke përdorur metoda indirekte për të përcaktuar qarkullimin e fshehur dhe taksën e papaguar”, citohet në kumtesën e sotme të DAP-it.
Ata po njoftojnë gjithashtu kontrolle të intensifikuara përpara festave të Vitit të Ri, të cilat do të përfshijnë restorante, bare kafeje, diskoteka, dyqane sanduiçësh dhe subjekte të tjera që punojnë me pagesa në para të gatshme.
Përpara se të fillonin kontrolle më të detajuara dhe të vendosnin sanksione, nga DAP-i thonë se ata kryen një proces të gjerë aktivitetesh këshillimore dhe analizash zyre me qëllim që të kuptonin sjelljen e tatimpaguesve dhe nivelin e pajtueshmërisë me rregulloret ligjore.
Deri më 20 nëntor, siç raportohet nga DAP, u kryen 3,500 vizita këshilluese në dyqane dhe objekte hotelierike, gjatë të cilave zyrtarët tatimorë i informuan tatimpaguesit rreth parregullsive më të zakonshme me qëllim korrigjimin dhe përmbushjen në kohë të detyrimeve.
Gjatë vizitave, u identifikuan kushte të tilla si pajisje fiskale që nuk kishin afishe nga një shërbyes i autorizuar, disa kishin vula të dëmtuara, dhe në një numër të caktuar tatimpaguesish u zbulua se adresa në të cilën ishte regjistruar pajisja fiskale nuk përputhej me vendndodhjen aktuale të biznesit. U identifikua gjithashtu mospagesa e qarkullimit ditor në bankë, si dhe mosmbajtja e një libri të raporteve financiare ditore.
Paralelisht me vizitat këshilluese, Drejtoria e të Ardhurave Publike kreu analiza të hollësishme bazuar në të dhënat nga sistemi GPRS, inspektimet në terren dhe deklaratat e TVSH-së. Analizat treguan situata tek disa tatimpagues që regjistronin vazhdimisht qarkullim të ulët ose identik ditor, tek të tjerët kishte mospërputhje midis kapacitetit të objektit dhe qarkullimit të raportuar, mospërputhje midis qarkullimit të regjistruar në arkat fiskale dhe qarkullimit të raportuar në deklaratat e TVSH-së, e të ngjashme.