Bejta premton që do ta “vizëllojë” Gostivarin, Limani kërkoi konfirmimin e fitores së 19 tetorit

“Shyqyr që pranove bre birë” – kështu thotë Nevzat Bejta se e kanë mirëpritur kandidaturën e tij gostivarasit, të cilët e kanë falënderuar pa masë. Gjatë fjalimit në hapjen e fushatës, kandidati i VLEN për Gostivarin, premtoi disa projekte, mes të cilave edhe se do ta vizëllojë qytetin nga pastërtia, ndërsa e akuzoi qeverisjen e kaluar lokale se nuk ka bërë asgjë për këtë komunë.

“Nuk e hapën ata për tetë vjet, asnjë punë nuk bënë. Nëse ju pyesin ne kemi bërë shumë punë të mëdha kemi hapur katër rrugë, edhe do të ndërtohet ura e dytë te gjyqi mbi lumin Vardar me dy korsi. Tjetër që do t’i kushtojmë shumë rëndësi që e kërkojnë qytetarët – higjiena… Higjiena do të jetë në nivelin më të lartë, do të vizëllojë qyteti siç thotë populli dhe do t’i kushtojmë rëndësi të ve­çantë gjelbërimit”, u shpreh Nevzat Bejta – Kandidat për Gostivarin (VLEN).

E kandidati tjetër, Valbon Limani nga AKI – që shpreson ta rifitojë Gostivarin ishte më i përmbajtur dhe nuk dha shumë premtime. Ai i ftoi qytetarët siç tha të fitojnë përball atyre që donin të ua hiqnin të drejtën për të vendosur për fatin e Gostivarit.

“Në këtë raund të përsëritur kërkoj sërish konfirmimin tuaj sepse për pak vota na hoqën fitoren. Nuk është hera e parë që provojnë këto lojra me Gostivarin, por jam i bindur se me ndihmën tuaj dhe mbi gjitha me vullnetin e Zotit do të ia dalim të gjitha sëbashku. Vetë personalisht nuk besoj fort në premtimet e fushatave se ndodh ndonjëherë të mos mbahen, ndaj edhe ato që bëmë ishin vërtet aq sa mundemi dhe vërtet do të bëhen”, dekalroi Valbon Limani – kandidat për Gostivarin.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura lokale për kryetarë në komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçishtë dhe Qendër Zhupë, zyrtarisht ka nisur më 22 dhjetor.

Sipas afatit, fushata do të zgjasë deri më 9 janar, kur hyn në fuqi heshtja zgjedhore para ditës së votimit.