Një ditë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka dalë para mediave për të dhënë qëndrimin e partisë lidhur me rezultatin zgjedhor. Ai tha se PDK kishte pritur rezultat më të lartë, megjithatë subjekti ka arritur ta ruajë votën dhe elektoratin e vet.
“PDK ka pritur rezultate më të mira. Edhe unë personalisht kam pritur rezultat më të mirë. Por PDK e ka ruajtur votën dhe elektoratin e vet”, tha Hamza.
Hamza theksoi se pozita sjell përgjegjësi, duke shtuar se nuk është prej atyre që shmangin përgjegjësinë.
“Pozita i ka përgjegjësitë e veta. Unë nuk jam prej atyre që fshihem nga përgjegjësia”, u shpreh ai.
Ai njoftoi se në ditët në vijim PDK do të mbajë takime me strukturat e partisë për analizën e rezultatit dhe marrjen e vendimeve.
“Do të kemi takime me strukturat e partisë sapo t’i analizojmë rezultatet. Nuk do të vonohemi në vendimmarrje”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së theksoi se vendi duhet të ketë institucione pa krijuar vakum politik, duke rikujtuar se Kosova ka kaluar mjaft bllokada institucionale në të kaluarën. Ai konfirmoi qartë se PDK do të jetë opozitë konstruktive, duke ofruar kontribut në proceset shtetërore.
“Ne do të jemi opozitë dhe do ta japim kontributin tonë. Marrëveshjet ndërkombëtare do t’i votojmë, sepse edhe në të kaluarën i kemi votuar”, deklaroi Hamza.
Sa i përket procesit të zgjedhjes së Presidentit, Hamza tha se ai është proces i veçantë, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Kur të vijë faza e zgjedhjes së presidentit, mendoj se ka vend të votohet dhe të mos bllokohet”, theksoi ai.
Me këtë dalje publike, PDK zyrtarizon pozicionimin e vet në opozitë, me fokus në stabilitet institucional dhe mbështetjen e proceseve shtetërore kur ato janë në interes të vendit.
