Nga Urim Saliu-Tetovasot
Në një sezon që ka kaluar kufijtë e imagjinatës dhe ka vendosur Shkëndijën në hartën e futbollit evropian, një emër qëndron qetësisht pas kësaj mrekullie sportive: Jeton Beqiri. Ai është njeriu që ndërtoi me durim, profesionalizëm dhe vizion një skuadër që sot habit edhe vetë futbollin e kontinentit.
Beqiri nuk është njeri i fjalëve të mëdha. Ai nuk mburret me punën kolosale që ka bërë. Në çdo konferencë shtypi kërkon gabimet, analizon me qetësi se ku skuadra mund të ishte edhe më e mirë. Mirëpo, pikërisht kjo thjeshtësi, kjo vetëkritikë dhe përkushtim absolut e bëjnë atë trajnerin që Shkëndija nuk e ka pasur kurrë më parë.
Me shtatë pikë në Conference League, në një rrugëtim që me pak fat mund t’i kishte çuar kuqezinjtë edhe në Champions League apo Europa League, Jeton Beqiri ka treguar se di të ndërtojë, të menaxhojë dhe të motivojë. Ai e ka udhëhequr skuadrën në një prej aventurave më të mëdha të historisë së saj, në një moment kur klubi kërkon seriozitet absolut, presion maksimal dhe rezultate të menjëhershme.
Dhe ai ia doli.
Mes sfidave të fillimit të verës, mes lodhjes pafund dhe pritshmërive të larta, Jeton Beqiri solli qartësinë e tij teknike, metodat e punës, disiplinën dhe futbollin modern. Shkëndija sot luan me identitet, me strukturë dhe me besim. Çdo detaj në fushë mban firmën e tij. Dhe sot, mediat e huaja nuk flasin vetëm për Shkëndijën , flasin për trajnerin që e ngriti atë në majë.
Tetova, qyteti që jeton me futboll, është krenare.
Krenare për skuadrën, krenare për suksesin, por mbi të gjitha krenare për trajnerin që e udhëheq këtë ëndërr të bukur.
Jeton Beqiri meriton çdo elozh, sepse ai nuk ndërtoi vetëm rezultate. Ai ndërtoi një kulturë, një mentalitet fitues dhe një ekip që sot frymëzon një qytet të tërë. Dhe rrugëtimi nën drejtimin e tij sapo ka filluar – objektivat e tjerë presin, sfidat e reja janë aty, dhe me të në stol, Shkëndija e di se mund të shkojë edhe më lart.