Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka përgëzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e thellë në zgjedhjet e fundit në Kosovë informon Tetovasot.
Përmes një mesazhi publik, Fetai e cilësoi rezultatin si një “fitore plebishitare” dhe shprehu urimet e tij në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar besimin e madh që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Kurtit dhe ekipit të tij.
Ai gjithashtu përgëzoi qytetarët dhe institucionet e Kosovës për, siç tha, maturinë e lartë demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor raporton Tetovasot.
“Jam i bindur se ky mandat i fuqishëm do të shndërrohet në punë të guximshme, vendime të drejta dhe rezultate të prekshme që do të forcojnë shtetin dhe do të përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Fetai.
Në fund të mesazhit, zëvendëskryeministri nënvizoi gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, duke synuar realizimin e projekteve të përbashkëta për një Ballkan më të zhvilluar, më të begatë dhe më të sigurt.
