Gjykata e Apelit në Shkup ka vendosur ta rrisë në 13 vjet burg dënimin për Vasil Jovanovin, i cili ishte dënuar fillimisht me 12 vjet burg për “vepra të rënda kundër sigurisë dhe personave dhe pronës në trafik”. Sipas Prokurorisë, në janar të këtij viti, duke drejtuar një automjet me shpejtësi 91 km/h, pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, Jovanov kaloi në semoafor të kuq dhe goditi Frosina Kulakovën, e cila vdiq në vend.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit në Shkup, pas shqyrtimit të çështjes penale KZh-696/25 dhe mbajtjes së seancës publike më 6 tetor 2025, gjykata vendosi më 27 tetor 2025, pas konsultimeve dhe votimit në pjesën jo publike të seancës, të miratojë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe të refuzojë si të pabazuar ankesën e të akuzuarit V.J.
Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore Penale në pjesën e dënimit, duke vendosur që V.J., i cili me vendimin e shkallës së parë ishte shpallur fajtor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” sipas nenit 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal, të dënohet me 13 vjet burg.
Në pjesën tjetër, vendimi fillestar mbetet i njëjtë.
Fillimisht, Gjykata Themelore Penale në Shkup në maj të këtij viti e shpalli Jovanovin fajtor për aksidentin rrugor në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, në të cilin humbi jetën 22-vjeçarja Frosina Kulakova.
Gjykata në atë kohë e dënoi me 12 vjet burg, ndalim për të drejtuar automjet për pesë vjet dhe gjobë, duke marrë parasysh pranimin e fajit dhe pendesën si rrethana lehtësuese, dhe duke konsideruar si rrethana rënduese: drejtimin pa leje, nën ndikimin e alkoolit, kalimin me dritë të kuqe dhe dënimin e mëparshëm për tregti të palejuar me drogë.
Sipas aktakuzës, më 29 janar, Jovanov drejtoi automjetin me 91 km/h, pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit, duke kaluar me dritë të kuqe në një kalim për këmbësorë dhe goditi Kulakovën, e cila po kalonte në dritë të gjelbër. Ajo vdiq menjëherë nga goditja. Për këtë vepër penale parashikohet dënim deri në 20 vjet burg.
Ndërkohë, Gjykata Themelore Penale në Shkup ka nisur proces edhe ndaj babait të Vasil Jovanovit, Zoran Jovanov, për veprën penale “kërcënim i sigurisë në trafik me veprim ose mjete të rrezikshme”, pasi gjatë periudhës nga nëntori 2022 deri në janar 2025 i kishte lejuar djalit të tij të drejtonte automjet pa leje, duke ditur se ishte recidivist në shkelje trafiku, çka sipas Prokurorisë kontribuoi në aksidentin tragjik ku humbi jetën Frosina Kulakova.