Aliu: Deri në maj do të kemi parking të ri në Qendrën Klinike me infrastrukturë “smart” dhe garazhë shumëkatëshe





Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për parkingun në Qendrën Klinike, tha se diku deri nga maji “do të kemi parking që do të jetë krejtësisht i ri me infrastrukturë ‘smart’.

Ai shpjegoi se kishte një problem administrativ në lidhje me infrastrukturën e parkimit në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup.

Ministri informoi dhe se së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, po krijojnë një strategji kombëtare për 10 vjet, për të qenë në gjendje të krijojnë një profil të punonjësve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor, aty ku është e nevojshme.

“Nuk mund të bëhet brenda një viti apo për katër vjet. E dini që na duhen të paktën gjashtë vjet për të krijuar profilin e një mjeku”, iu përgjigj ai pyetjes së gazetarëve, pas vizitës së rinkonstruimit të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

Ministri gjithashtu kujtoi se së bashku me Qeverinë do të furnizojnë 100 autoambulanca, ndërsa për vitin 2027 paralajmëroi edeh 50 të tjera.

“Domethënë, për një kohë të shkurtër do të ketë plus 150 autoambulanca që do të pajisen në mënyrë të përshtatshme për t’u shërbyer qytetarëve tanë”, nënvizoi ministri.