Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë zhvilluar një aksion të madh në Shkup dhe rrethinë, për shkak të dyshimeve për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit dhe pastrim parash. Aksioni, i cili është rezultat i një procedure paraprake disa mujore, është realizuar mbrëmë dhe gjatë natës.
Nën udhëheqjen e prokurorit publik, janë kryer kontrolle në disa lokacione në territorin e Shkupit.
Gjatë kontrolleve, policia nga Njësia për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Njësia për Hetime Financiare ka gjetur materiale për lojëra fati – letra, çipa, tavolina profesionale pokeri dhe pajisje të tjera. Po ashtu, janë gjetur shuma të konsiderueshme parash në denarë dhe euro, automjete të blera gjatë periudhës së hetimit dhe lëndë narkotike.
Në një nga lokacionet, 14 persona janë kapur në flagrant duke luajtur lojëra fati në momentin e bastisjes.
Nga PNKOK njoftojnë se prokurori publik ka hapur dy procedura hetimore, që përfshijnë gjithsej tetë persona.
Në procedurën e parë janë të përfshirë gjashtë persona, të dyshuar se në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar kanë organizuar lojëra të paligjshme fati pa licencë. Grupi, nga shkurt i këtij viti deri dje, ka organizuar lojëra si “Omaha”, “Poker”, “Krug” dhe “Briç” në tre lokacione në Shkup, me rregulla të përcaktuara, vlera bastesh, numër të caktuar lojtarësh dhe staf për shpërndarje letrash dhe menaxhim të arkës.
Me këto veprime ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Organizim i lojërave të fatit pa leje”, duke përfituar pasuri të konsiderueshme.
Në procedurën e dytë, janë të përfshirë një nga personat e hetuar në procedurën e parë dhe edhe dy persona të tjerë. Ata dyshohen se kanë përfituar 7.583.784 denarë në mënyrë të paligjshme përmes veprës penale fajde (huadhënie me kamata të paligjshme).
Sipas Prokurorisë, paratë janë futur në qarkullim përmes depozitimit të tyre në llogari personale, marrjes së mjeteve nga persona të tretë dhe përdorimit për blerje të pasurive të paluajtshme, pagesë kredish dhe financim të një stili të jetesës luksoze.
Bazuar në urdhrin e prokurorit, dy nga të dyshuarit kanë vepruar si bashkautorë të veprës së zgjatur penale të lihvarjes dhe veprës së pastrimit të parave, për të cilën dyshohet edhe bashkëshortja e të dyshuarit kryesor.
Prokurori publik do t’i propozojë gjykatës masën e paraburgimit për shtatë të dyshuar, ndërsa për bashkëshorten e të dyshuarit kryesor do të kërkohet arrest shtëpiak.