Aksion kundër taksistëve dhe transportuesve të tjerë ilegalë në Shkup! Gjorgjievski: Do t’u konfiskohen automjetet dhe do të ketë gjoba





Kryetar i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski ka njoftuar se Inspektorati i Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sot ka nisur aksion kundër transportuesve ilegalë që veprojnë në Shkup. Gjorgjievski thotë se do t’u konfiskohen automjetet për 6 muaj dhe do të ketë gjoba për të gjithë ata që e kryejnë këtë veprimtari pa licencë adekuate.

“Ligji duhet të respektohet, rend do të ketë. Sot, Inspektorati i Qytetit të Shkupit ka nisur një aksion të fuqishëm për të vendosur rend në fushën e transportit publik. Transportuesit joformalë, taksitë, vetura, furgonë ose autobusët që për vite me radhë kanë punuar pa licencë, pa kontroll dhe jashtë të gjitha rregullave – po bëhen pjesë e së kaluarës. Këtë e kam paralajmëruar që kur kërkoja mbështetjen e qytetarëve të Shkupit, dhe sot po realizojmë këtë obligim. Qëllimi ynë është i qartë dhe i pakundërshtueshëm – të mbrohen qytetarët, të vendoset konkurrencë e drejtë dhe të respektohen ligjet që vlejnë për të gjithë. Me këtë aksion, automjetet që punojnë në mënyrë ilegale do të konfiskohen për një periudhë prej gjashtë muajsh, ndërsa Inspektorati do të shqiptojë gjoba me urdhërpagesë. Kjo është një masë konkrete me të cilën dërgojmë mesazh se kaosi dhe pa rregull nuk do të tolerohen”, ka shkruar mes tjerash Gjorgjievski.