AKI në bashkëbisedim me banorët në Çegran: Mbështetje e fuqishme për Valbon Limanin dhe vizionin për zhvillim lokal

Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 11 janarit, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka shpalosur sonte programin e saj para banorëve të fshatit Çegran.

 

Gjatë takimit me banorët e këtij fshati, përfaqësuesit e AKI-së dhe kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, u pritën me energji pozitive dhe entuziazëm të dukshëm, duke u theksuar se Çegrani rreshtohet fuqishëm në krah të fitores së madhe.

Në fjalën e tij, kandidati Limani falënderoi banorët e Çegranit për mbështetjen e vazhdueshme, duke premtuar se besimin e dhënë do ta kthejë me realizimin e shumë projekteve kapitale dhe zhvillimore gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Nga ana e tij, kryesuesi i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, deklaroi se, ashtu si më 19 tetor, edhe më 11 janar banorët e Çegranit do ta mbështesin me votë Valbon Limanin, duke konfirmuar vazhdimësinë e besimit politik.

Takimi u nderua edhe me praninë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët dhe njërit nga liderët e AKI-së, Arben Taravari, i cili theksoi se fitorja e Valbon Limanit përfaqëson një garanci të qartë për një Çegran më të zhvilluar dhe me perspektivë.

Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe personalitete të tjera nga strukturat e koalicionit AKI, të cilët ritheksuan përkushtimin e përbashkët për zhvillim lokal, qeverisje të përgjegjshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët e Gostivarit.