Aeroplani i linjës Prishtinë – Stamboll del nga pista në “Sabiha Gökçen”, pasagjerët evakuohen sigurt
Ambasada e Kosovës në Turqi ka njoftuar se një aeroplan i kompanisë AJet, i tipit Boeing 737-800, i cili realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll me numër TKJ76Q/VF102, pas aterrit në Aeroportin Sabiha Gökçen ka dalë nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës.
Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt përmes shkallëve të jashtme, pa qenë e nevojshme përdorimi i rrëshqitësve emergjentë, dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Kompania AJet ka deklaruar se aeroplani kreu një aterrim të rregullt, por gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Ndërkohë, udhëtarët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre në mënyrë të rregullt, ndërsa Ambasada e Kosovës në Turqi u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast nevoje të kontaktojnë institucionet përkatëse.