Abdixhiku reagon pas rezultatit të dobët të LDK’së, thotë se do ta ftojë Kuvendin e partisë – flet edhe për përgjegjësinë e tij
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar”.
“Rezultati i LDK-së nuk është që e kemi pritur, s’është ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shoh ndonjëherë. Ky është një moment reflektimi i thellë i përgjegjësisë dhe seriozitetit politik. Kur qytetarët e Kosovës flasin, ne duhet t’i dëgjojmë, kur populli e jep verdiktin e vet, ne duhet patjetër ta respektojmë”. Demokracia funksionin kur udhëheqësit janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi, jo vetëm kur fitojnë e kur kanë festë, por edhe kur kanë humbje edhe si kjo e sotmja”.
“Këto pesë vite që kam udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kam bërë dhe kam vepruar gjithmonë ashtu si kam besuar që është më e mira e LDK-së, për strukturat tona, për besimin e qytetarëve dhe për të ardhmen e kësaj shtëpie politike me peshë të madhe historike për Kosovën. Megjithatë, sot duhet të them hapur dhe me ndershmëri nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë që kam besuar. Kemi ndërtuar program të plotë, serioz dhe modern, kemi bërë një fushatë dinjitoze dhe të përgjegjshme, që nuk i ka munguar asgjë në përmbajtje e as në përkushtim. Por, ky është verdikti qytetar dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë sepse kështu funksionon demokracia, sepse qytetari gjithmonë ka të drejtë”.
“Dua të shpresoj që mbështetësit e LDK-së t’i kem përfaqësuar unë dhe ekipi ynë me dinjitet dhe përgjegjësi e që i kemi bërë krenarë në vazhdimësi. Një gjë duhet ta mbajmë mend gjithmonë se LDK-ja ka qenë dhe mbetet shtëpia e demokracisë së Kosovës dhe kjo është partia që ka udhëhequr vendin në momentet më të rëndësishme historike, është partia që ka mësuar kulturën e lirisë, qytetarisë e përgjegjësisë.
Abdixhiku tha se në këtë moment sfide, LDK ka nevojë për unitet, reflektim të thellë dhe një fazë të re.
“Ka nevojë të dëgjohet më shumë, të hapet më shumë, të rinovohet më shumë e më guximshëm. Për këtë arsye, për përgjegjësinë që më takon si kryetar, do të thërras menjëherë Kuvendin e Lidhjes Demokratike dhe para tij do t’i shpalosi e shqyrtojmë të gjitha çështjet, përfshirë dhe përgjegjësinë time që mbaj unë si kryetar i kësaj shtëpie të demokracisë”.
Ai ka falënderuar edhe kundërshtarët politikë për garën, si dhe ka uruar fituesin “sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale edhe kur jemi dakord për gjëra substanciale”.
