A po distancohet Vini Jr nga Real Madridi?

I fishkëllyer nga një pjesë e tifozëve në “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e fundit të vitit, braziliani Vinicius Junior po kalon një nga momentet më delikate që prej ardhjes së tij te Real Madridi.

Vazhdimësia e tij në klub nuk mund të konsiderohet më e sigurt.

“Sigurisht që tifozët janë sovranë dhe të lirë të shprehin opinionin e tyre”.

Kështu u shpreh trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, në konferencën për shtyp pas fitores 2-0 ndaj Sevillas, duke komentuar fishkëllimat që një pjesë e madhe e tribunave ia dedikuan Viniciusit në momentin e zëvendësimit.

Megjithatë, tekniku bask shmangu çdo mbrojtje publike të lojtarit, duke zgjedhur ta mbyllë sa më shpejt temën, një detaj që nxjerr në pah distancimin mes trajnerit dhe sulmuesit brazilian.

Edhe pse pas gjesteve të pakënaqësisë në “El Clasico”, Vinicius ka tentuar të shfaqë një raport më të afërt me trajnerin, realiteti është se marrëdhënia mes tyre ka përmirësime minimale.

Problem i dukshëm për drejtuesit

Ky tension i hapur është kthyer në një shqetësim serioz për drejtuesit e Real Madridit, të cilët prej kohësh po përpiqen të mbyllin rinovimin e kontratës së anësorit.

“Mendoj se drejtuesit do të kishin preferuar që Vinicius të mos zëvendësohej. Duke parë situatën e rinovimit, ata duan ta zgjasin kontratën, por nuk e kanë situatën nën kontroll”, deklaroi gazetari Anton Meana për Cadena SER.

Nga ana tjetër, Javier Herraez shtoi: “Vinicius largohet nga fusha i sfiduar dhe i zemëruar. Gjithçka varet nga ai. Nëse luan si dy vite më parë, tifozët do ta duartrokasin”.

“Nuk mund të kushtëzohet e gjithë sezoni. Ndoshta vetë Vinicius po i zvarrit negociatat sepse dëshiron të largohet dhe të mos rinovojë”.

Pas ndeshjes, Vinicius përfitoi nga pushimi i Krishtlindjeve për të udhëtuar në Dubai.

Me rikthimin e garave, ai do të duhet të përballet sërish me gjykimin e tifozëve dhe me një ambient që tashmë nuk e fsheh mundësinë e largimit të tij. /