Autostrada Kërçovë-Ohër pritet të lëshohet në përdorim të plotë deri në tremujorin e parë të vitit 2027.
Pas 11 vitesh që nga fillimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër, deri më tani funksionale janë vetëm 20 kilometra segment ky i lëshuar në përdorim katër muaj më parë nga Vrbjani deri në Botun.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski thotë se po punohet intensivisht në rrugën pranë Bukojçanit, si dhe në rrugët Tetovë – Gostivar dhe Ohër-Kërçovë.
“Këtu është përfundimi i autostradës Kërçovë-Ohër, ndërtimi i segmentit Kërçovë-Bukojçan ku presim të zgjedhim zbatuesin e projektit gjatë këtij muaji. Më tej intensivisht po punohet në ndërtimin e rrugës nga Bukojçani në Gostivar, segmenti i njohur si Strazha do të bëhet bypas dhe do të ndërtohet rruga Tetovë-Gostivar, ku të gjithë thoshin se është autostradë por në fakt rrugë ekspresë. Punojmë edhe në segmentin Prilep-Manastir si autostradë e re dhe tani më punojmë gjetjen e një zgjidhje për pjesën që shkon nga Prilepi në Farish”, tha Nikollovski
Autostrada Kërçovë-Ohër prej 57km, me të gjitha marrëveshjet aneks, ka kushtuar deri më tani mbi 600 milionë euro. Ndërtimi filloi më 22 shkurt 2014. Kredia për këtë investim kapital u mor nga banka kineze “Exim” dhe shteti duhet ta shlyejë atë për 20 vjet. Në tetor 2013, Parlamenti miratoi kredinë, ndërsa në nëntor u nënshkrua marrëveshja midis Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë kineze “Sinohidro”. Por nga Qeveria thonë se ka pasur 10 rrëshqitje të dheut që duhet të stabilizohen. Nga Qeveria thonë se për përfundimin e saj, do të duhet të zgjerohet edhe korniza e kreditimit, sepse sipas tyre, nuk ishin parashikuar para për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut.
“Në segmentin 5-kilometrësh të fshatit Botun, ka pasur 6 rrëshqitje toke shumë të mëdha. Për të gjitha këto, korniza e kredisë do të duhet të rritet sepse nuk ishin planifikuar fonde për këtë. Do të mbeten 5 kilometra në Botun dhe 17 kilometra nga dalja e tunelit në Kërçovë të përfundojnë deri në fund të vitit 2026 dhe fillim të vitit 2027”, thotë Qeveria.
Autostrada filloi të ndërtohet në vitin 2014, gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së kur Nikolla Gruevski ishte kryeministër, dhe ende nuk është përfunduar. Qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së premtoi se autostrada e re do të jetë gati për 4 vjet, megjithatë, me ardhjen në pushtet të LSDM-së në vitin 2017, u tha se projekti u braktis, si pasojë e shumë problemeve të pazgjidhura në trase. Projekti fillestar pësoi ndryshime për shkak të një mospërputhjeje midis rrugës së projektuar dhe asaj të ndërtuar, aktivitetet e ndërtimit u ndaluan dhe çmimi për këtë u pagua nga qytetarët, dhe një marrëveshje e re aneks u nënshkrua me kompaninë kineze për 185 milionë euro shtesë.