Vetëm në 12 orët e para të periudhës testuese të sistemit “Qytet i Sigurt” (Safe City) janë evidentuar plot 65,000 shkelje të trafikut, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përmes një postimi në Facebook.
“Me këtë projekt fillojmë një fazë të re në përmirësimin e sigurisë rrugore – shkelësit e rregullave të komunikacionit do të marrin njoftim elektronik për kundërvajtjen e kryer, e dokumentuar me pajisje moderne teknike dhe mjete incizimi. Qëllimi ynë është i qartë: më shumë siguri, më pak shkelje dhe tolerancë zero për vozitjen e pakujdesshme, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zonë urbane apo rrugë jashtë vendbanimeve.
Në 12 orët e para të funksionimit testues të sistemit u regjistruan plot 65,000 shkelje, prej të cilave 2,800 për kalim në dritë të kuqe dhe 1,000 për automjete të paregjistruara. Këto shifra alarmante edhe një herë e vërtetojnë nevojën dhe arsyeshmërinë e sistemit, nga i cili presim përmirësim të dukshëm të kulturës së trafikut, rritje të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe ulje të dëmeve dhe viktimave nëpër rrugë.
Me “Qytet i Sigurt” sigurojmë disiplinë më të lartë në komunikacion, procedura transparente dhe komunikim të shpejtë elektronik me qytetarët. Ky sistem është investim në jetë të shpëtuara dhe rrugë më të sigurta për të gjithë.
Vazhdojmë me përkushtim të modernizojmë proceset dhe të rrisim cilësinë e punës së MPB-së”, shkroi Toshkovski.