Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas zhvillojnë bisedime në Gjenevë mbi planin e paqes





Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë bisedime sot në Gjenevë mbi një propozim të ri që synon të avancojë përpjekjet për paqe në Ukrainë, raporton Anadolu.

Bisedimet përfshijnë një delegacion amerikan të kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff. Pala ukrainase drejtohet nga kreu i kabinetit presidencial, Andriy Yermak.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë rezultatin më të fortë të mundshëm për ukrainasit”, tha një zyrtar amerikan për agjencinë zvicerane të lajmeve “Keystone-ATS”, duke theksuar se diskutimet mbeten në fazë eksploruese.

Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Daniel Driscoll, mësohet se është në Gjenevë si pjesë e delegacionit. Për momentin, nuk ka takime të konfirmuara me zyrtarë evropianë dhe pritet që bisedimet të mbeten të mbyllura për media.

Një kanal i veçantë komunikimi me përfaqësues rusë pritet të hapet në një fazë të mëvonshme.