Kryesia e Aleancës për Shqiptarët ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar gjendja aktuale politike në vend, procesi dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, si dhe hapat e ardhshëm të subjektit politik.
Në një njoftim pas mbledhjes, ASH theksoi se koalicioni me të cilin garoi doli fitues në nivel kombëtar në listat për këshilltarë, si në numër votash ashtu edhe në mandatet e fituara. Megjithatë, partia shprehu pakënaqësi për epilogun e garës për kryetarë komunash, duke akuzuar për “inxhinjering të fuqishëm shtetëror” dhe koordinim të subjekteve shqiptare në pushtet me partitë maqedonase, me qëllim – siç u tha – “realizimin e platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve”.
Sipas ASH, nga ky proces nuk humbën vetëm partitë shqiptare të opozitës, por “më së shumti qytetarët shqiptarë”, të cilët, sipas tyre, pas degradimit në pushtetin qendror, “tani u degraduan edhe në nivel lokal”.
Pas diskutimeve të gjata, Kryesia e ASH mori unanimisht vendimin që partia të veprojë në mënyrë autonome. Deputetët e Aleancës do ta formalizojnë ditëve në vijim këtë vendim në Kuvend, duke u pozicionuar si grup i pavarur parlamentar.
“Aleanca për Shqiptarët mbetet zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve, duke ruajtur komunikimin me subjektet opozitare shqiptare”, thuhet në njoftim, ku theksohet se partnerët e deritanishëm të koalicionit janë njoftuar për këtë hap.
Partia deklaron se kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe në Kushtetutë, si dhe adresimi i dëmeve të shkaktuara – sipas tyre – nga Qeveria aktuale, mbeten prioritetet kryesore të veprimit politik.
Në këtë kuadër, strukturat e ASH do të nisin takime me anëtarët, qytetarët, organizatat dhe aktorët politikë, me qëllim forcimin e radhëve dhe përgatitjen për betejat e ardhshme politike.