ZHVILLIMET ME MANDATARIN Pas Kurtit, Osmani po takon Krasniqin dhe Abdixhikun





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke takuar edhe liderët e partive tjera parlamentare në lidhje me mandatarin e dytë për krijimin e Qeverisë së re.

VOX Kosova merr vesh se Osmani para pak minutash ka përfunduar takimin me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Aktualisht në takim me Presidenten është Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Takimet e Osmanit me liderët e partive të ish-opozitës vijnë pasi që VV-ja mandatoi Glauk Konjufcën, nënkryetarin e kësaj partie, si mandatar të dytë për krijimin e Qeverisë së re, pas dështimit të Albin Kurtit më 26 tetor.

Këto zhvillime po ndodhin një ditë para se të skadojë afati kushtetues ku Presidentja duhet të vendos nëse do ta dekretojë mandatarin e dytë apo do të shpallë zgjedhje të reja.