Xian, mbahet Takimi Përurues i Mekanizmit të Partnerëve Mediatikë të Jugut Global





Takimi Përurues i Mekanizmit të Partnerëve Mediatikë të Jugut Global dhe Forumi i 13-të Global i Mediave të Videove (VMF) u hapën të enjten në Xian, kryeqendër e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore.
Kjo veprimtari dyditore, me temë “Krijimi i konsensusit për përfitime të përbashkëta: Roli i medias në qeverisjen globale”, ka mbledhur bashkë qindra zyrtarë qeveritarë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të mediave kryesore nga mbarë Jugu Global, për të shkëmbyer pikëpamje mbi forcimin e zërit të vendeve në zhvillim, promovimin e drejtësisë dhe barazisë në komunikimin ndërkombëtar dhe ndarjen e historive bindëse të paqes dhe zhvillimit.

Veprimtaria shënon gjithashtu fillimin zyrtar të Mekanizmit të Partnerëve Mediatikë të Jugut Global, duke kontribuuar me mençuri dhe forcë në krijimin e një të ardhmeje të përbashkët më të mirë dhe më të ndritur për njerëzimin.
Promovimi i konsultimeve të barabarta, zhvillimit të përbashkët dhe shtimi i forcës së fjalës të vendeve në zhvillim është qëllimi i vërtetë i krijimit të Mekanizmit të Partnerëve Mediatikë të Jugut Global dhe konsensus i vendeve të Jugut Global.
Krerët e disa organizatave mediatike nga vendet e Jugut Global, drejtues të organizatave mediatike ndërkombëtare dhe të dërguar diplomatikë në Kinë folën në veprimtari ose dërguan videomesazhe.

E themeluar nga Agjencia e Videolajmeve e CCTV-së (CCTV+) në vitin 2011, VMF-ja përqendrohet në publikimin e përmbajtjeve video e të risive teknologjike dhe shërben si një platformë e përvitshme kyçe e shkëmbimeve ndërmjet përdoruesve dhe partnerëve globalë të medias. Ajo është shndërruar tani në një forum global kryesor, duke tërhequr pjesëmarrje të gjerë nga organizatat dhe profesionistët e medias në të gjithë botën.