VMRO-VLEN dhe degradimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Arben LLALLA

VMRO-DPMNE në bashkëpunim me vasalët e tyre politikë, të quajtur sot VLEN, po e çojnë procesin e degradimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut deri në pikën më ekstreme. Në vend që të ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe shumëetnike, ata po instalojnë një sistem të ri diskriminimi institucional, ku shqiptarët trajtohen si pakicë pa të drejta edhe në ato qytete ku përbëjnë shumicën absolute të popullsisë. Kjo strategji nuk është e rastësishme; është e menduar mirë për të krijuar perceptimin se shqiptarët po zhduken politikisht dhe administrativisht nga harta e vendit.

Rasti më skandaloz është ai i qytetit të Kërçovës, ku shqiptarët janë shumicë e dërmuese, por megjithatë u zgjodh një kryetar maqedonas falë votave shqiptare të VLEN. Madje, edhe në këshillin komunal ku shqiptarët kanë shumicën, kryetar i këshillit u zgjodh një turk, edhe kjo fal votave shqiptare të VLEN. Ky është një precedent që e godet drejtpërdrejt frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe çdo koncept të bashkëjetesës ndëretnike. Kjo nuk është demokraci, por një formë e sofistikuar e nënshtrimit politik që vjen përmes skemave të ulëta të llogarive të pushtetit.

Tashmë gjuha shqipe nuk mund ta flasë kryetari i komunës, as kryetari i këshillit, pra secili në gjuhën e vet etnike do të flasë, ja lejon ligji, por jo në gjuhën shqipe. Personalisht nuk jam kundër të të tjerëve, qofshin maqedonas sllavëgjuhësor, turk, rom, serb, vllah, etj., por secili duhet ta dijë vendin e vet, territorin gjuhësor, zakonet, tradiat, ku duhet ti përdorë në bazë të ligjit dhe respektin ndaj njeri-tjetrit. Nëse i përziejmë gjërat dhe hyjmë në ujëra të trubullta kjo sjellë keqkuptime.

Në një shtet që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, këto zhvillime duhej të ishin të paimagjinueshme. Por Maqedonia e Veriut nuk funksionon si një shtet Europian — ajo ende mbetet peng i mentalitetit sllavo-nacionalist që synon dobësimin dhe asimilimin e elementit shqiptar. Politikat që ndjek sot VMRO-DPMNE me mbështetjen e VLEN-it janë vazhdim i të njëjtës linjë ideologjike që historikisht ka përjashtuar shqiptarët nga qendrat e vendimmarrjes, i ka shtyrë drejt margjinalizimit dhe i ka përdorur si numra elektoralë, jo si partnerë të barabartë.

VLEN, që në fjalor paraqitet si “vlerë”, në praktikë po shndërrohet në vegël të një projekti antishqiptar. Në vend që të jenë faktor bashkimi, ata po hyjnë në histori si forca e përçarjes kombëtare, e cila për interesa momentale pushteti, po i jep oksigjen politik forcave që prej dekadash kanë luftuar kundër gjuhës, flamurit dhe identitetit shqiptar. Duke u bërë mburojë e VMRO-së, VLEN jo vetëm që po dëmton interesat afatshkurtra të elektoratit të vet, por po rrënon edhe krenarinë dhe dinjitetin kolektiv të shqiptarëve në këtë shtet.

VMRO dhe VLEN mund të mendojnë se me këto manovra po godasin BDI-në dhe Ali Ahmetin, por gabohen rëndë. Ajo që po godasin në realitet janë 20 vitet e arritjeve të përbashkëta shqiptare — nga përfaqësimi institucional, deri te ruajtja e gjuhës dhe e simboleve kombëtare. Po shkatërrojnë urat e bashkëjetesës që me vështirësi u ndërtuan pas konfliktit të vitit 2001. Çdo akt i tillë që përjashton shqiptarët nga pushteti lokal është një hap prapa drejt të kaluarës, një rikthim në kohët kur për të qenë shqiptar duhej të heshtje për të ekzistuar.

Nëse parulla e Mickoskit dhe e VMRO-së është “T’ua kthejmë Maqedoninë maqedonasve”, atëherë le ta dinë se me veprime të tilla nuk po e kthejnë vendin drejt maqedonasve, por drejt Rusisë dhe politikave të saj shkatërruese në Ballkan. Një Maqedoni e ndarë etnikisht, e dominuar nga ndjenja e urrejtjes dhe revanshizmit, është terren i përsosur për ndikime të huaja që e duan rajonin të dobët dhe të varur. Përkundrazi, shqiptarët kanë qenë dhe mbeten faktori më pro-europian dhe më stabilizues i këtij shteti.

Shqiptarët nuk po kërkojnë privilegje, por barazi të garantuar me gjak dhe sakrificë. Heshtja e tyre sot do të ishte fatale, sepse në momentin që shqiptarët do të heqin dorë nga koncepti i Maqedonisë së Veriut shumëetnike, atëherë fillon rënia e lirë e kësaj republike të brishtë. Atëherë askush nuk do të mund ta ndalojë shpërbërjen politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Prandaj, kjo është koha e reflektimit të madh politik. Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se degradimi nuk vjen gjithmonë me dhunë apo me armë, por shpesh me veprime të heshtura politike, me marrëveshje në prapaskenë dhe me pazare të turpshme që shiten si kompromis. Sot nuk është në pyetje vetëm një komunë apo një post, por vetë dinjiteti kombëtar dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Historia do t’i mbajë mend këta emra: kush mbrojti interesin shqiptar dhe kush e përdori për përfitim personal. Dhe kur të shkruhet ajo faqe, do të thuhet qartë se VMRO dhe VLEN nuk ndërtuan shtet, por rrënuan shpresën e një brezi që besoi se Maqedonia e Veriut mund të ishte shtëpi e përbashkët. Në fund, shqiptarët do të mbeten, por do të mbeten të plagosur në krenari dhe në besim — dhe kjo plagë do t’u kushtojë të gjithëve.