Vështirësitë për zbatimin e planit për Gazën të miratuar nga OKB-ja

Plani nuk u jep palestinezëve pothuajse asnjë zë në qeverisjen e Gazës. Për shkak të kundërshtimit të ashpër të Izraelit, ai nuk premton shtetësi, duke ofruar vetëm një referencë të paqartë se një ditë mund të jetë e mundur. Ai gjithashtu nuk jep një afat kohor të qartë për fillimin e rindërtimit dhe për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga rreth 50% e territorit të Rripit të Gazës që e kontrollon ende.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbështetur planin ambicioz të Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Rripit të Gazës. Por, si dhe kur do të zbatohet mbetet kryesisht e paqartë.

Në një kthesë të paimagjinueshme në historinë e trazuar të konfliktit izraelito-palestinez, plani do të thotë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëhet sundimtari de facto i Gazës. Territori mbetet i shkatërruar nga fushata e Izraelit për të eliminuar Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën.

Një organ ndërkombëtar i njohur si Bordi i Paqes, i kryesuar nga Trumpi, do të qeverisë Gazën dhe do të mbikëqyrë rindërtimin nën një mandat 2-vjeçar të rinovueshëm nga OKB-ja. Një Forcë e armatosur Ndërkombëtare e Stabilizimit do të ruajë sigurinë dhe do të sigurojë çarmatosjen e Hamasit, një kërkesë kryesore e Izraelit.

Pyetje të mëdha varen mbi pothuajse çdo pjesë të planit dhe afatit kohor për zbatim.

Ndërkohë, teksa pothuajse të gjithë palestinezët mbeten të zhvendosur dhe të varur nga ndihma humanitare, Hamasi mban kontroll të konsiderueshëm mbi pothuajse gjysmën e Gazës dhe rindërtimi i territorit mezi ka filluar.

Sfidat e çdo hapi

Bisedimet mbi hapat e mëtejshëm janë zhvilluar prapa skenave midis SHBA-së, Izraelit, Katarit, Egjiptit dhe vendeve të tjera. Por negociatat serioze nuk kanë filluar sepse Izraeli dhe Hamasi mbeten në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në tetor. Grupi militant duhet t’i dorëzojë edhe trupat e tri pengjeve të fundit.

Rezoluta e OKB-së e miratuar të hënën i ka dhënë planit legjitimitet ndërkombëtar. Kjo hap derën për vendet arabe dhe me shumicë myslimane që të marrin pjesë, veçanërisht duke kontribuar me trupa në Forcat e Sigurisë Ndërkombëtare (ISF).

SHBA-ja shpreson që sa më shumë të përfshihen këto vende, aq më i pranueshëm do të jetë sundimi ndërkombëtar për më shumë se 2 milionë banorët e Gazës.

Por pranimi nga populli palestinez është larg të qenit i sigurt. Pa të, Bordi i Paqes rrezikon të shihet si një pushtim i huaj që punon në emër të Izraelit, duke penguar më tej ëndrrën e tyre për vetëvendosje dhe shtetësi.

Plani nuk u jep palestinezëve pothuajse asnjë zë në qeverisjen e Gazës. Për shkak të kundërshtimit të ashpër të Izraelit, ai nuk premton shtetësi, duke ofruar vetëm një referencë të paqartë se një ditë mund të jetë e mundur. Ai gjithashtu nuk jep një afat kohor të qartë për fillimin e rindërtimit dhe për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga rreth 50% e territorit të Rripit të Gazës që e kontrollon ende.

Mst: A do të ndodhë çarmatosja?

Çarmatosja e Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës janë pikat themelore të të gjithë planit. Por nuk ka detaje se si do të ndodhë kjo.

Deri më tani grupi militant nuk ka rënë dakord të çarmatoset. Në një deklaratë pas miratimit të rezolutës së OKB-së, Hamasi ka thënë se fati i armëve të tij lidhet me sigurimin e një rruge drejt përfundimit të pushtimit izraelit dhe krijimit të shtetit palestinez.

Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF) ka për detyrë të sigurojë çarmatosjen dhe shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake të Hamasit. Kjo focë do të mbikëqyrë gjithashtu një forcë policore palestineze, të përbërë nga anëtarë të verifikuar të trajnuar nga Egjipti dhe Jordania.

Një numër kombesh janë përmendur si kontribues të mundshëm në ISF, përfshirë Egjiptin, Indonezinë, Turqinë dhe Azerbajxhanin. Por asnjëra nuk është zotuar ende të dërgojë trupa, dhe Izraeli kundërshton pjesëmarrjen e Turqisë në forcë.

Nuk ka gjasa që ushtritë e këtyre kombeve të synojnë që ushtarët e tyre të marrin armët e Hamasit me forcë. Hamasi ka paralajmëruar se përpjekja për ta bërë këtë do ta shndërronte ISF-në “në një palë në konflikt në favor të pushtimit”.

Hamasi është nën presion të madh, veçanërisht nga Katari dhe Egjipti, për të gjetur një kompromis.

Një ide e mundshme është “çmontimi” apo dorëzimi i arsenalit tek ISF-ja për ruajtje – për të cilin Hamasi mund të argumentojë se nuk është një dorëzim i përhershëm i së drejtës së tij për rezistencë të armatosur.

Pa çarmatim, pjesa më e madhe e planit mund të ngecë. Tërheqja e trupave të Izraelit është e lidhur me ritmin e demilitarizimit të Hamasit dhe vendosjen e ISF-së. Rindërtimi gjithashtu nuk ka gjasa të ndodhë në pjesën më të madhe të Gazës, përveç nëse Hamasi çarmatoset.

Shumë palestinezë kanë frikë se rezultati përfundimtar do të jetë një ndarje e Gazës midis një zone të kontrolluar nga Izraeli, ku mund të ndodhë deri në një masë rindërtimi, dhe pjesës tjetër, ku jetojnë pothuajse të gjithë popullsia prej më shumë se 2 milionë banorësh me pak rindërtim.

Kush do ta përbëjë Bordin e Paqes?

Trumpi ka thënë se bordi do të përbëhet nga “udhëheqës të shquar” nga vende të tjera, përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe se anëtarët e tij do të emërohen në javët e ardhshme.

Por kush do të jenë ata është fakt i panjohur, dhe për më tepër, as pjesëmarrja e Blair nuk është konfirmuar.

Rezoluta e OKB-së i jep Bordit të drejtën e plotë të fjalës në Gazë me kompetenca mbi ISF-në, rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike. Bordi gjithashtu do të mbikëqyrë një “komitet teknokratik, apolitik të palestinezëve kompetentë” që do të drejtojnë shërbimin civil të përditshëm në Gazë.

Kush janë këta palestinezë të pavarur?

Anëtarët e komitetit palestinez nuk duhet të kenë lidhje as me Hamasin dhe as me Autoritetin Palestinez, i cili aktualisht administron pjesë të shpërndara të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Izraeli ka hedhur poshtë çdo rol për Autoritetin Palestinez në Gazë.

Plani nuk specifikon se kush do t’i zgjedhë anëtarët, por kjo përgjegjësi ka të ngjarë t’i bjerë Bordit të Paqes. Izraeli do të dëshirojë të ketë një rol të fortë në atë se kush mund të përfshihet.

Në një postim në internet, analisti politik dhe anketuesi palestinez Khalil Shikaki ka thënë se komiteti duhet të zgjidhet përmes një procesi të ashtuquajtur “të gjithë palestinezët” për të rritur mbështetjen e tij, duke u konsultuar midis fraksioneve politike, sindikatave tregtare, udhëheqësve lokalë dhe organizatave të grave dhe të të rinjve.

Por nëse Bordi dhe komiteti shihen si një mjet për SHBA-në ose Izraelin, palestinezët e shquar mund të ngurrojnë të bashkohen. Në deklaratën e tij të hënën, Hamasi ka denoncuar “kujdestarinë ndërkombëtare” që rezoluta e OKB-së vendos mbi Gazën, duke thënë se synon të çojë përpara interesat e Izraelit.

Ku po çon e gjithë kjo?

Plani thekson dy qëllime për Gazën – demilitarizimin dhe rindërtimin. Çdo gjë përtej kësaj mbetet kryesisht bosh.

Rezoluta e OKB-së ofron mundësinë që Autoriteti Palestinez të marrë përfundimisht kontrollin e Gazës nëse kryen një sërë reformash të brendshme sipas kërkesave të Bordit të Paqes – gjithçka, nga luftimi i korrupsionit, rritja e efikasitetit deri te mbajtja e zgjedhjeve.

Autoriteti Palestinez e ka mirëpritur rezolutën e OKB-së në një deklaratë të hënën dhe ka thënë se ishte i gatshëm të ndërhynte për të qeverisur Gazën. Por opozita izraelite ngre dyshime nëse kjo do të lejohet ndonjëherë të ndodhë.

Nën presionin e aleatëve arabë, Shtetet e Bashkuara futën një referencë për shtetësinë palestineze në rezolutën e OKB-së.

Por kjo mbetet vetëm një “përkulje” e paqartë. Ajo thotë se nëse Autoriteti Palestinez “me besnikëri” kryen reforma dhe nëse rindërtimi i Gazës përparon, “më në fund mund të krijohen kushtet në vend për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.

Mungesa e një rruge të qartë drejt vetëvendosjes kërcënon të ndërlikojë çdo hap tjetër.

Për shembull, ka shkruar Shikaki, pa një rrugë drejt shtetësisë, “çarmatimi do të shihet si kapitullim, ndërkaq demobilizimi mund të përkufizohet si pjesë e strategjisë kombëtare”.

Për pjesën më të madhe të popullsisë, përparësia është të shihet rindërtimi dhe një ringjallje e ekonomisë së Gazës në mënyrë që familjet të kenë mjete jetese. Nëse kjo ndodh, kjo mund të mbulojë ngurrimin ndaj sundimit ndërkombëtar, të paktën për një kohë. Nëse nuk ndodh ose nëse palestinezët nuk shohin përparim drejt vetëvendosjes, pakënaqësia ka të ngjarë të rritet.

Potenciali për kaos është i lartë me ndarjet e shumta brenda Gazës. Tashmë, territori ka Hamasin, disa banda të armatosura të mbështetura nga Izraeli që kundërshtojnë grupin militant dhe vetë ushtrinë izraelite. Shtojini këtyre një forcë policore palestineze, trupa ndërkombëtare, palestinezë që i bashkohen administratës dhe ata që e kundërshtojnë atë, dhe e gjithë skena bëhet edhe më e paqëndrueshme.