Nënkryetari i SHBA-së, JD Vance, deklaroi se çdo plan për ndalimin e luftës së Rusisë në Ukrainë duhet ta ruajë sovranitetin ukrainas dhe të jetë i pranueshëm për të dyja palët.
Në të njëjtën kohë, Vance tha se është “fantazi” të mendohet se Ukraina mund të fitojë nëse SHBA i jep Kievit më shumë para apo armë, apo nëse vendosen më shumë sanksione kundër Rusisë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të enjten prezantoi një plan të ri paqeje për Ukrainën, i cili i jep Rusisë edhe më shumë koncesione territoriale sesa kontrollon aktualisht, e largon Ukrainën nga anëtarësimi në NATO dhe ia kufizon madhësinë e forcave të armatosura.
Trump i dha Ukrainës afat deri të enjten për ta pranuar planin.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në fjalimin e tij të djeshëm, deklaroi se plani e vendos Ukrainën para një “zgjedhjeje shumë të vështirë – ose humbje të dinjitetit, ose rrezik të humbjes së një partneri kyç”.