UNRWA: Mbi 75 mijë palestinezë të zhvendosur strehohen në 100 ndërtesa të OKB-së në Gaza

Agjencia e Kombeve të Bashkuara (OKB) për refugjatët palestinezë tha se më shumë se 75 mijë palestinezë të zhvendosur po strehohen në 100 ndërtesa të saj në Rripin e Gazës, shumë prej të cilave janë dëmtuar në sulmet izraelite në enklavë, transmeton Anadolu.

“Në Gaza, gati 75 mijë persona të zhvendosur janë strehuar në mbi 100 ndërtesa të UNRWA-së, shumë prej tyre të dëmtuara dhe të mbipopulluara”, tha agjencia në një deklaratë në kompaninë amerikane të mediave sociale X.

UNRWA pohon se ekipet e saj po punojnë “për të mbajtur strehimoret të sigurta dhe dinjitoze, duke ofruar ujë, kanalizime, mbledhjen e mbeturinave dhe mbështetje për higjienën çdo ditë”.

Sipas Zyrës së medias qeveritare të Gazës, rreth dy milionë nga 2.4 milionë banorët e enklavës janë zhvendosur gjatë dy viteve të fundit të luftës gjenocidale të Izraelit në enklavë.

Zyra shtoi se gati 288 mijë familje palestineze kanë mbetur të pastreha ndërsa civilët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në zona të vogla dhe të mbipopulluara ku mungojnë nevojat themelore.

Faza e parë e armëpushimit hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor sipas planit 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Faza e parë përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale izraelite ka vrarë mbi 68.800 palestinezë në enklavë dhe ka plagosur më shumë se 170.600, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.