Ukraina kërkon shkëmbimin e 1.200 të burgosurve me Rusinë

Ukraina po punon për të rifilluar procesin e shkëmbimit të të burgosurve me Rusinë, me shpresën për lirimin e 1,200 qytetarëve ukrainas, konfirmuan presidenti Volodymyr Zelensky dhe kreu i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov.

“Ne po llogarisim në rifillimin e shkëmbimeve,” tha Zelensky. “Shumë takime, negociata dhe telefonata po i kushtohen kësaj çështjeje.”

Kryetari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, bëri të ditur se ka zhvilluar konsultime në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me mbështetjen e partnerëve të Kievit, për të ringjallur procesin e shkëmbimeve.

“Si rezultat i këtyre negociatave, palët ranë dakord të kthehen te marrëveshjet e Stambollit,” tha ai. “Bëhet fjalë për lirimin e 1,200 ukrainasve.”

Deri tani nuk ka pasur reagim nga Moska mbi deklaratat e Kievit.

Marrëveshjet e Stambollit, të ndërmjetësuara nga Turqia në vitin 2022, përcaktojnë rregullat për shkëmbime të mëdha e të koordinuara të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës. Që atëherë, të dyja palët kanë kryer mijëra shkëmbime, ndonëse shpesh të ndërprera për shkak të përshkallëzimeve në vijën e frontit të luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.

Umerov tha se në ditët në vijim do të zhvillohen konsultime për të rënë dakord mbi detajet procedurale dhe organizative të procesit.

“Ne po punojmë pa pushim që ata ukrainas që duhet të kthehen nga robëria të mund të festojnë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet në shtëpi – pranë tryezës familjare dhe me të dashurit e tyre,” u shpreh ai.