Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nisur të hënën procesin për të shpallur si organizata terroriste të huaja disa degë të Vëllazërisë Myslimane (Muslim Brotherhood), një hap që do të sjellë sanksione ndaj një prej lëvizjeve më të vjetra dhe më me ndikim islamist në botën arabe.
Siç njofton edhe Shtëpia e Bardhë, Trump e ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv që kërkon nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, të dorëzojnë një raport për të përcaktuar nëse ndonjë degë e Vëllazërisë Myslimane, si ato në Liban, Egjipt dhe Jordani, duhet të shpallet organizatë terroriste.
Urdhri thotë se sekretarët duhet të veprojnë brenda 45 ditëve nga dorëzimi i raportit.
Administrata Trump ka akuzuar disa fraksione të Vëllazërisë Myslimane në këto vende se mbështesin ose inkurajojnë sulme të dhunshme ndaj Izraelit dhe partnerëve të SHBA-ve, ose se i japin ndihma materiale grupit militant palestinez Hamas.
“Presidenti Trump po përballet me rrjetin transnacional të Vëllazërisë Myslimane, i cili ushqen terrorizmin dhe fushata destabilizuese kundër interesave dhe aleatëve të SHBA-ve në Lindjen e Mesme”, thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë.
Republikanët dhe zëra të djathtë kanë kërkuar prej kohësh që Vëllazëria Myslimane të shpallet organizatë terroriste. Duhet theksuar se Presidenti Trump kishte bërë një përpjekje të ngjashme edhe gjatë mandatit të parë.
Vëllazëria Myslimane u themelua në Egjipt në vitet 1920 si një lëvizje politike islame për të kundërshtuar përhapjen e ideve sekulare (që nuk bazohen në doktrina fetare) dhe nacionaliste. Ajo u përhap shpejt në vendet myslimane, duke u bërë një aktor i rëndësishëm, por shpesh duke vepruar fshehurazi.