Tre vjet burg për gjinekologun Asani, i cili e la Veaposkan pa mitër, vezore dhe veshkë

Gjykatësi Jordan Jovanov në Gjykatën Themelore të Strugës sot shpalli dënimin maksimal prej tre vitesh burg për të akuzuarin e parë, gjinekologun e spitalit të Strugës, Muhamed Asani, në rastin e lehonës Yildiz Veaposka nga Dibra, e cila gjatë lindjes mbeti pa vezore, pa një veshkë dhe pa mitër. Duke e shpallur fajtor, gjykata sot i shqiptoi Asanit edhe ndalesë shtesë për ushtrim të profesionit për një periudhë prej pesë vitesh.

Dënimet nuk janë ende të plotfuqishme; Asani ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Manastir, njofton TS.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i akuzuari Asani, përveç gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të lehonës pas prerjes cezariane, nuk ka kryer diagnostikim dhe ekografi për gjendjen e krijuar të gjakderdhjes, e cila çoi në shok hemorragjik, gjatë së cilës asaj i janë hequr padrejtësisht tre organe të shëndetshme.

“Gjykata e shpall fajtor të akuzuarin Muhamed Asani dhe i shqipton dënim efektiv burgimi në kohëzgjatje prej tre vitesh, që është dënimi maksimal i parashikuar për këtë vepër penale, dhe pas vuajtjes së dënimit i shqiptohet dënim plotësues – ndalesë për ushtrimin e profesionit, veprimtarisë apo detyrës për një periudhë prej 5 vitesh”, tha gjykatësi.

I akuzuari i dytë, specializanti, djali i tij, Blerton Asani, dhe gjinekologia Liljana Jovanoska u shpallën të pafajshëm.

Yildiz Veaposka, pas procesit gjyqësor që zgjati katër vjet e gjysmë, është e kënaqur me dënimin, por beson se faj ka edhe djali i Asanit, specializanti që ishte i pranishëm gjatë prerjes cezariane.

“Këto janë lot padrejtësie; pesë vite kam sorollatur dyerve të gjykatave. Pesë vite kam pritur drejtësinë që njëri, Muhamed Asani, të marrë dënimin me burg, ndërsa tjetri, djali i tij që mësoi duke operuar mbi mua, të kalojë aq lehtë”, tha Veaposka.

Avokati i saj, Sasho Janev, është i kënaqur me dënimin.

“Morëm dënimin maksimal siç e parashikon ligji; nuk është moment për festë, por tregon se sistemi i drejtësisë në vend po shërohet dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin”, deklaroi Janev.

Procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra, në të cilin i akuzuari i parë Muhamed Asani, mjek specialist gjinekolog–akušer, u dënua për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”, filloi në vitin 2022./TS