Më shumë se 50 persona janë plagosur nga shpërthime gjatë faljes së xhumasë në një xhami në Indonezi, ku autoritetet kanë identifikuar një nxënës 17-vjeçar si të dyshuarin kryesor. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 me orën lokale brenda kompleksit shkollor që përfshinte xhaminë në Kelapa Gading, një lagje në kryeqytetin Xhakartë.
Viktimat, kryesisht nxënës, kanë pësuar lëndime të ndryshme, përfshirë djegie të rënda. I dyshuari gjithashtu është plagosur, sipas shefit të policisë indoneziane, Listyo Sigit Prabowo.
Ai shtoi se hetimet janë në vazhdim, “duke përfshirë mënyrën se si i dyshuari e ka montuar dhe kryer sulmin”. Një ekip për çmontimin e bombave u dërgua në kompleksin shtetëror të gjimnazit pas shpërthimeve për të mbledhur prova dhe për të siguruar që nuk kishte pajisje të tjera shpërthyese.
Një nxënës i shkollës i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Antara se një bombë artizanale ishte sjellë nga një nxënës që shpesh ishte bullizuar nga të tjerët.
Nxënës të tjerë thanë për mediat indoneziane se i dyshuari ishte një “vetmitar” që shpesh bënte vizatime me përmbajtje të dhunshme dhe ishte gjetur i shtrirë në tokë pas shpërthimit.
Një kuzhiniere e shkollës përshkroi se kishte parë tym të bardhë që dilte nga xhamia dhe dritare të thyera pas shpërthimit “masiv”. “Zemrat na rrihnin fort, nuk mund të merrnim frymë”, i tha ajo agjencisë Reuters.
Një oficer i lartë i Policisë Metropolitane të Xhakartës konfirmoi praninë e dy objekteve që ngjanin me armë zjarri në vendngjarje.
Pamjet nga Antara sugjerojnë se njëri prej objekteve dukej si një armë automatike dhe tjetri si një pistoletë. Objekti që ngjante me armë automatike kishte të gdhendur në tytë: “14 fjalë. Për Agartha”. Në trupin e saj shkruhej: “Brenton Tarrant. Mirë se erdhe në Ferr”.
Brenton Tarrant është autor i sulmit masiv në një xhami dhe qendër islame në Christchurch, Zelandë e Re, në vitin 2019, ku u vranë 51 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Një ministër që vizitoi vendin më vonë të premten u përpoq të hedhë poshtë sugjerimet se kishte armë të vërteta në vendngjarje, duke i thënë CNN Indonesia se ajo që ishte fotografuar “doli të ishte një armë lodër, jo e vërtetë”.
Lodewijk Freidrich Paulus gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të mos nxitojnë të mendojnë se shpërthimi ishte një “akt terrorist”, pasi hetuesit ende po analizojnë vendin e ngjarjes. Një tjetër objekt i gjetur në vendngjarje ishte një rrip i errët jeshil për ruajtjen e fishekëve. Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë.