Të bllokuar në tunelet e Gazës prej javësh, fati i 80 luftëtarëve të Hamasit në dorë të negociatorëve!

Negociata intensive po zhvillohen aktualisht për fatin e luftëtarëve të Hamasit, të cilët kanë qenë të bllokuar për disa javë në tunele nëntokësore në Rripin e Gazës, një zonë nën kontrollin izraelit.

Shumica e tyre janë anëtarë të Brigadave al-Qassam, krahut të armatosur të Hamasit, dhe vlerësohet se numërojnë midis 60 dhe 80 veta.

I dërguari amerikan Steve Witkoff kishte folur në fillim të nëntorit për 200 luftëtarë palestinezë të bllokuar në tunele.

“Diskutimet dhe kontaktet me ndërmjetësit (Egjiptin, Turqinë dhe Katarin) dhe amerikanët po vazhdojnë me qëllim zgjidhjen e krizës”, tha një zyrtar i lartë i Hamasit, i cili foli në kushte anonimiteti, si dhe burime të tjera të kontaktuara nga AFP.

“Kjo çështje u diskutua në Egjipt dhe kriza u diskutua me kreun e shërbimeve të inteligjencës [egjiptiane], Hassan Rashad, këtë javë”, konfirmoi një burim palestinez me njohuri për diskutimet.

I njëjti burim shtoi se në javët e fundit, Hamasi ka bërë përpjekje të mëdha me ndërmjetësuesit në Egjipt, Katar, Turqi dhe palën amerikane për të zgjidhur krizën, në mënyrë që luftëtarët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, shtoi ai.

Një burim nga një prej vendeve ndërmjetësuese konfirmoi se SHBA-të, Katari, Egjipti dhe Turqia po punojnë për të arritur “një kompromis që do t’u lejojë luftëtarëve të Hamasit të largohen nga tunelet pas Vijës së Verdhë [e cila shënon kufirin ku trupat izraelite janë tërhequr] pranë Rafah”, në pjesën jugore të enklavës.

Sipas burimit, propozimi aktual do t’u siguronte atyre një kalim të sigurt në zonat që nuk kontrollohen nga Izraeli, në mënyrë që të sigurohet që kjo çështje të mos bëhet një pikë mosmarrëveshjeje që do të çonte në shkelje të reja të armëpushimit ose në rënien e tij.